LAJMET E MBRËMJES

Opozitarët kërkojnë llogari nga Ekzekutivi në dyvjetorin e zgjedhjeve të 14 shkurtit

Deputetët e partive në opozitë kanë kërkuar përgjigje nga anëtarët e kabinetit qeveritar, dy ditë pasi u shënua 2-vjetori i zgjedhjeve të 14 shkurti, pas së cilave u formua qeveria e drejtuar nga Albin Kurti. PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kritikuan pushtetin për mosrealizim të premtimeve të dhëna e për largimin e qytetarëve. Kryeministri Kurti nga opozitarët është pyetur edhe për procesin e dialogut me Serbinë, për propozimin evropian e për tërheqjen e njohjeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në propozimin evropian nuk përfshihet njohja de jure nga Serbia.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve opozitarë, Kurti ka thënë se megjithëkëtë pa një marrëveshje finale me Kosovën, Serbia nuk do të mund të anëtarësohej në BE.

“Njohja de jure e Serbisë është e qartë se nuk është në mënyrë eksplicite e thënë atyre, por vetëm në formën de fakto, por është pjesë sekuencuale e planit sepse aty parashihet se një marrëveshje përfundimtare do të arrihet ndërkohë si parakusht për avancimin evropian të Serbisë, domethënë vetoja e Kosovës ndaj së ardhmes integruese të Serbisë përmes kësaj marrëveshjeje e merr formën e një parimi juridik”, ka theksuar Kurti.

Kurti nuk ka pranuar të flasë nëse ka ndryshim qëndrimesh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nëse ato nuk synojnë më njohje të ndërsjellë nga dialogu.

Kreu i Qeverisë ka folur edhe për çështjen e tërheqjes apo jo të njohjes nga Togo. Sipas tij, institucionet nuk kanë pranuar ndonjë vendim se ky shtet apo të tjerat për të cilat lobon Serbia kanë tërhequr njohjen.

Kurti këto deklarime i ka bërë gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, e një pjesë e diskutimeve të së cilës qeverisja e kryeministrit është kritikuar nga opozitarët.

PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja akuzuan atë për largimin e qytetarëve nga Kosova e për mospërmbushje të premtimeve të bëra me të fituar zgjedhjet dy vjet më parë.

“Vetëm në Ambasadën gjermane për një vit, gjatë vitit 2022, 105 mijë qytetarë kanë aplikuar për vizë. Në Ambasadën zvicerane 38 mijë e 341 aplikues për vizë dhe nga këta 34 mijë janë pajisur me vizë. Kjo qenka qeveri e shpresës, kjo qenka qeveri që nxit kurajën e njerëzve për të udhëtuar në Kosovë”, ka thënë deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë për mosrealzimim të premtimeve.

“Duke mos promovuar asnjë projekt kapital tash e dy vjet, asnjë rrugë, asnjë fabrikë, duke thënë se do të bëjmë me qindra çerdhe për fëmijë, banesa për të rinj, Qeveria e Kosovës është në një instancë e cila veç numëron, diskuton dhe flet për 20 vjetët e kaluar”, është shprehur Tahiri.

Akuzave iu përgjigj ministri i Financave, Hekuran Murati. Sipas tij, me gjithë sfidat me të cilat janë përballur, kanë arritur që ta menaxhojnë atë më së miri në gjithë rajonin.

"Për një periudhë dyvjeçare kemi pasur pandeminë, krizën e inflacionit, krizën energjetike e tash edhe krizën e normave të interesit. Dhe me gjithë këto kriza, rritjen ekonomike e kemi shumë më të lartë sesa cilëndo periudhë që e merr kur s`ka pasur fare krizë. Pra, normalisht duhet që të merret edhe konteksti. Jemi vendi që ia ka dalë më së miri në rajon”, ka deklaruar Murati.

Deklarimi i ministrit nxiti reagimin e opozitarëve. “Ministër sapo e dëshmove se ju jeni kot. Ju nuk e keni idenë se si qeveriset. Ju të vetmen gjë që e keni bërë në parandalimin e ikjes së qytetarëve nga Kosova është që i keni penalizuar duke mos i pajisur me pasaporta”, ka theksuar deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Ka reaguar edhe deputet i LDK-së, Driton Selmanaj.

“Kryeministër me ty e kam. Qaq në derexhe ka ra kjo Qeveri sa ministrin ma joserioz po e qitni me fol në emër të Qeverisë”, është shprehur ai.

Ndonëse mori sërish fjalën, reagimi i deputetëve në opozitë bëri që ministri Hekuran Murati ta lërë në gjysmë atë.

Kjo për shkak të ndryshimeve në rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës për respektimin e së cilave u pajtua edhe kryekuvendari Glauk Konjufca.

Për largimin e qytetarëve nga Kosova përgjigje deputetëve iu dha edhe kryeministri Albin Kurti.