Zvogëlimi i listave të pritjes, furnizimi me barna, miratimi i ligjeve, ndalja e ikjes së mjekëve, dhe mbikëqyrja e institucioneve ishin vetëm disa prej çështjeve që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i listoi si urgjenca dhe prioritete të sektorit.
Në prezantimin e ekspozesë së tij para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Vitia theksoi se brenda gjashtëmujorit të parë të udhëheqjes së Ministrisë së Shëndetësisë i pret rezultatet për veprimet e ndërmarra.
“Reformimi i procesit të trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve publike, hapja e konkursit të ri me standarde të reja për specializantë, afrimi i profesionistëve nga mërgata, rajoni e të huaj sipas fushave në nevojë, lista esenciale e re e barnave, miratimi dhe furnizimi sipas saj, ndryshimi dhe përmirësimi i furnizimit të institucioneve me material shpenzues”, tha Vitia.
Zotimet e tij për transformimin dhe reformimin e shëndetësisë u pritën me kritika nga deputetët opozitarë. Ia numëruan si dështim mungesën e legjislacionit adekuat teksa ia bartën fajin edhe për lënien e sektori pas dore, në kohën kur partia në pushtet hyn në vitin e dytë të qeverisjes.
“Këto dy vite do të kishim dashur t’i harrojmë në kuptimin procedural, por nuk mund të harrohen në kuptimin e përgjegjësisë politike. Investimet kapitale, furnizimet, listat, skandalet e ndryshme, mosllogaridhënie e mospërgjegjësia ndaj eprorëve”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, nënkryetar i Komisionit.
“Për besë nëse nisemi me këtë logjikë, duhet të harrohen edhe shumë vite paraprake z. Zemaj. Edhe shumë vite, të mos them nga viti 2000, sepse ne sot po i vuajmë një pjesë të madhe të pasojave që po përballemi nga këto vite, nga këto 20 vite jo nga dy vite. Sepse e dini edhe këtë, nëse do të kishte pasur specializime për anesteziologë me kohë para 5-6 viteve, sot do të kishin anesteziologë të mjaftueshëm”, tha Vitia.
“Shëndetësia kurrë më keq nuk ka qenë, përjashtuar vitet ‘90-‘99. Kemi mungesë të barnave esenciale, kemi listën e pritjes, mendoj i keni të trashëguara, mos i merrni si akuzë tuajën, por i keni të trashëguara, trajtime jashtë vendit me borxhe milionëshe, mungesë të ligjit për shëndetësi, për sigurime shëndetësore”, tha Shemsedin Dreshaj, deputet i AAK-së.
E deputeti i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu, tha se Ministria është shndërruar në mburojë të sektorit privat dhe në shkatërrues të atij publik.
“A do të braktisësh sërish pacientët dhe stafin mjekësor për të kandiduar për kryetar të Komunës së Prishtinës? Si e vlerësoni punën e Përparim Ramës në qeverisje deri më tani. Sepse është krijuar precesioni në opinionin publik se ju jeni duke përdorur Ministrinë e Shëndetësisë si trampolinë për të kërcyer nga një pozitë në tjetrën”, tha Haxhiu.
Ministri Vitia iu përgjigj në pyetje, duke thënë se ka tendenca spekulimi për hesape politike, përderisa theksoi se për të, çështja e kandidimeve ka marrë fund.