Zyra e Rregullatorit të Energjisë e paralajmëroi mundësinë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Javën e ardhshme, ky institucion do ta publikojë raportin mbi shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave, i cili është hapur më 11 janar të këtij viti, pas kërkesës nga KEDS-it dhe KESCO-ja.
Ymer Fejzullahu, kryesues i bordit të ZRRE-së, gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonomi, tha se shqyrtimi i jashtëzakonshëm është i domosdoshëm pasi që janë plotësuar kriteret ligjore.
“Shqyrtimi i jashtëzakonshëm, si një prej aktiviteteve që nuk mund të parashihet në kuadër të aktiviteteve dhe të planit të performancës, është edhe shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave të energjisë elektrike, i cili edhe në vitin e kaluar ka ndodhur një herë. Por, edhe këtë vit domosdoshmërish është duke ndodhur, për shkak se janë plotësuar kriteret e parapara me ligj dhe ZRRE-ja, në dhjetor të vitit të kaluar, ka hapur edhe shqyrtimin e jashtëzakonshme të tarifave për vitin 2023”, tha Fejzullahu.
Por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, tha se shqyrtimi i tarifave jodomosdoshmërisht mund të përkthehet në shtrenjtim të energjisë.
“Mesazhi që doli është se paralajmërohet shtrenjtimi i energjisë elektrike. Nga perspektiva juaj, në këtë fazë çka ju po shqyrtoni është rritja e kostos operative, e cila jodomosdoshmërisht mund të përkthehet në shtrenjtim të energjisë në rast se ka subvencione... Por në rast se ka subvencione, siç është rasti i 75 milionë eurove nga BE-ja, ne jodomosdoshmërisht mund të nxjerrim një konkluzion të tillë, në këtë fazë”, tha Muja.
Shqetësimin për hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor e shprehu edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
“Unë mendova se ju do të keni shqyrtim të jashtëzakonshëm për uljen e tarifave, por jo për ngritjen e tarifave. ‘Vaj halli’ për ne nëse edhe në këtë drejtim i ngarkoni qytetarët”, tha Lekaj.
Krahas shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave, ZRRE-ja është duke bërë edhe shqyrtim të rregullt tarifor. Shkurtin e vitit të shkuar, ZRRE-ja pati marrë vendim që çmimi i energjisë të rritet për ata që konsumojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.
E për shqyrtimin e sivjetmë, drejtuesit e ZRRE-së u përballën me kritika të shumta nga anëtarët e Komisionit.
“Askund në këtë raportim, përfshirë edhe objektivat që gabimisht i keni bërë se në ‘vëmendje të ZRRE-së për vitin 2022 do të jenë’ besoj se keni menduar për vitin 2023. Po shpresoj se nuk e keni bërë copy-paste, sidoqoftë, po besoj se nuk keni hyrë me objektiva të njëjta. Kemi hyrë në vitin e dytë të shpalljes së masave emergjente në sektorin e energjisë. Është dashur të ketë një reflektim në raport me masat që ndërmorën”, tha Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.
Por, kryesuesi i bordit të ZRRE-së tha se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e parapara me ligj për t’i ndëshkuar operatorët që nuk i kryejnë obligimet financiare.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.