Përfaqësues të shoqatës “Handikos” kanë kritikuar punën që bën Komisioni vlerësues mjekësor për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Sipas tyre, rivlerësimi shpesh zgjat 30 sekonda. Ministria e Financave pranon telashet me rivlerësimin, derisa anëtarët e komisionit mbrojtën punën e tyre, duke thënë se problemi është te ligji
Puna e Komisionit Mjekësor për rivlerësim të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë është kritikuar nga përfaqësues të “Handikosit”, gjatë së hënës në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut.
Afrim Maliqi, drejtor i kësaj shoqate, tha se një numër i personave me aftësi të kufizuara janë larguar nga lista e përfituesve, për shkak të rivlerësimeve, siç tha ai, të padrejta të komisionit që është pjesë e Ministrisë së Financave.
“Jo vetëm në bazë të Ligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë, por edhe në bazë të ligjeve tjera, të cilat ju përkasin personave me aftësi të kufizuara nuk përmendet askund rivlerësimi, vetëm në rregullore përmendet, prandaj shtrohet edhe këtu çështja si mund të jetë më e fuqishme rregullorja, se sa Ligji, për shkak se gjendja e një personi me aftësi të kufizuar veç mundet me u vështirësu e me u përkeqësu e nuk mundet me u përmirësu”, ka theksuar Maliqi.
Elmi Fazliu, nga po kjo shoqatë, ka thënë se shpesh rivlerësimi nuk zgjat më shumë se gjysmë minute.
“Kur unë kam qenë në Komision më kanë thënë “përshëndetje, kush je ti”, Elmi Fazliu, “të kemi parë një herë në televizor më thanë”, i thashë në rregull faleminderit shumë edhe më thanë që në rregull është, mundesh me shku. Do të thotë krejt procedura ka ndodhur diku 30 sekonda”, ka deklaruar Fazliu.
Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve pranojnë problemet që sjell vlerësimi nga Komisioni i mjekëve.
“Prej konstatimeve tona janë dy probleme kryesore që po ballafaqohemi me komisionin e mjekëve, e para është cilësia e vlerësimit. Po shihet që ka cilësi të dobët të vlerësimit dhe këtu po na konstatojnë raportet preliminare ose vendimet konzeliniare të kolegëve të po atyre mjekëve, po ashtu edhe vendimet gjyqësore”, ka thënë Enis Spahiu, zëvendëssekretar i Ministrisë së Financave.
E në Komisionin e Mjekëve, fajin për telashet ia hedhin Ligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
“Komisioni vlerësues është shumë profesional, mirëpo komisioni bënë vlerësimin në bazë të këtij Ligji, a është Ligji i mirë ne e dimë që nuk është i mirë”, ka theksuar Anita Vranjolli, udhëheqëse e Divizioni mjekësor në Ministri.
Komisioni i Kuvendit për të Drejtat e Njeriut vlerësoi se duhet të bëhet ndryshimi i shpejtë i rregullores që kërkon rivlerësimin e personave me aftësi të kufizuara.