LAJMET E MBRËMJES

Arrestohen dy kirurgë me dyshimin për ryshfet, një tjetër në kërkim

Dy kirurgë të Spitalit të Vushtrrisë janë arrestuar me dyshimin për marrje të ryshfetit, ka konfirmuar Policia e Kosovës. I dyshuari i tretë, që ishte ushtrues detyre i shefit të Repartit të Kirurgjisë, është në kërkim. Ndaj dy të arrestuarve Prokuroria ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh. E Spitali i Vushtrrisë ka njoftuar për suspendimin e të tre mjekëve të përfshirë në rastin që u publikua të hënën

Kirurgët Arsim Latifaj e Ekrem Sefiu janë arrestuar të martën në Spitalin e Vushtrrisë, mbështetur në dyshimet e bazuara të Policisë për marrje të ryshfetit, përderisa i dyshuari i tretë lidhur me rastin, Isuf Zekaj, ndodhet ende në kërkim.

Policia ka njoftuar se arrestimet janë kryer nga Njësia Rajonale për Hetime të Krimeve Ekonomike e Korrupsion në Mitrovicë të Jugut.

“Mund t’ju konfirmojmë se Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Mitrovicë-Jugu, ka arrestuar dy persona me dyshimin e bazuar për marrje ryshfeti, përderisa personi i tretë mbetet në kërkim policor. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në raportin e Policisë.

E Spitali i Vushtrrisë nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN ka njoftuar se të tre kirurgët janë suspenduar nga puna. Kirurgu i tretë, që ende është në kërkim, sipas njoftimit, ishte ushtrues detyre i shefit të Repartit të Kirurgjisë.

“Ju njoftojmë se policia e Kosovës e ka arrestuar në Spital, dr. A. L. dhe dr. E. S., ndërsa dr. I. Z është thirrur në telefon dhe i është kërkuar dorëzimi në Polici. Në pajtim me legjislacionin në fuqi dr. I. Z. shkarkohet nga pozita u.d shef i Repartit dhe suspendohet nga puna, po ashtu edhe dr. E. S. dhe dr. A. L. suspendohen nga puna deri në një vendim të ri”, thuhet në përgjigjen e menaxhmentit të Spitalit.

Zekaj është edhe anëtar i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar, në cilësinë e përfaqësuesit nga spitalet e përgjithshme dhe i emëruar në këtë post nga Qeveria.

Burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë kanë thënë për KOHËN se është iniciuar procedura për shkarkimin e tij nga kjo detyrë.

E nga SHSKUK-ja nuk janë përgjigjur rreth dyshimeve të ngritura ndaj kirurgëve, porse në një postim në rrjete sociale, ky institucion i ka kërkuar Drejtorisë së Spitalit të Vushtrrisë që të ndërmarrë masa konform legjislacionit në fuqi.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës është njoftuar nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë se gjatë ditës së sotme janë arrestuar dy kirurgë të Spitalit të Vushtrrisë. Pas publikimit të lajmit në media, ditën e djeshme, menaxhmenti i SHSKUK-së ka kërkuar nga Drejtoria e Spitalit të Vushtrrisë të ndërmarrë masat e nevojshme konform legjislacionit në fuqi. Sipas njoftimit të Spitalit, njëri nga kirurgët është shkarkuar nga pozita u.d. shefit të Repartit dhe është suspenduar nga puna, po ashtu, edhe dy kirurgë të tjerë janë suspenduar nga puna deri në një vendim të ri”, ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar.

Rasti i ryshfetit u publikua të hënën në media, ku thuhej se mjekët kanë marrë para për të kryer operime. Ministria e Shëndetësisë reagoi menjëherë, duke njoftuar se kanë nisur hetimet rreth dyshimeve për korrupsion ndaj tre kirurgëve.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

“Njëherësh, prokurori i Shtetit njofton opinionin se ka urdhëruar policinë që të arrestojë edhe të dyshuarin – mjek të Spitalit në Vushtrri, me iniciale I.Z., me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘marrja e ryshfetit’, dhe posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të lëshohet vendimi për ndalim prej 48 orësh, po ashtu edhe për këtë të dyshuar do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë të martën.