LAJMET E MBRËMJES

KFOR-i largon kamionët e djegur në bllokadën e vendosur te “Shkëmbi i Dudes”

Është hequr edhe pengesa e fundit në rrugët e veriut. Makineritë e rënda me të cilat u bënë barrikadat muajin e shkuar u larguan në fundvit, por mbetën ato mbi urën tek vendi i quajtur “Kërrshi i Dudës”, meqë u ishin vënë flakët natën kur u vendos që pengesat të hiqeshin.

Më shumë se gjashtë orë ka bërë misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që t’i largojë kamionët e djegur në urën që ndodhet në Mitrovicë, në rrugën që të shpie në pikëkalimin kufitar me Serbinë, Jarinjë.

Me mjete të rënda pjesëtarë të KFOR-it dhe EULEX-it që nga paraditja e së martës u angazhuan për largimin e tyre. Fillimisht u bë kontrolli nga ekipet e çminimit e më pas mjetet e rënda u tërhoqën deri tek fillimi i urës.

Nga ta u zbraz ngarkesa me dhe, që ishte vënë nga organizatorët e barrikadave me qëllimin për ta vështirësuar secilin aksion të mundshëm për largimin e tyre.

Me ndihmën e ekskavatorit kamioni i parë u ngarkua në atë që do të transportonte e largonte përfundimisht nga vendi ku ishte i vendosur prej ditësh.

E njëjta procedurë u ndoq edhe për largimin e kamionit të dytë.

KFOR-i njoftoi se veprimi i ndërmarrë ka për qëllim ta rikthejë lirinë e lëvizjes.

“Misioni i KFOR-it po kryen operacione inxhinierie në veri të Kosovës për të hequr disa automjete të bllokuara në rrugë dhe për të rikthyer lirinë e lëvizjes në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”, tha KFOR-i.

Bllokadat në drejtim të pikave kufitare me Serbinë u vendosën në shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-zyrtarit policor Dejan Pantiq. Ato u hoqën pasi autoritetet kosovare ndryshuan masën e paraburgimit ndaj Pantiqit duke e kthyer në arrest shtëpiak.