Situatë e qetë e ka shoqëruar ditën e 16-të të bllokadave në veri të Kosovës. Pas dy javësh, zyrtarët policorë të stacionit në Leposaviq kanë arritur që të ndërrohen me kolegët e tyre. Ndërrimi i tyre, është ndihmuar nga misioni i EULEX-it. Ekipi mjekësor i këtij misioni, ka ekzaminuar edhe ish-zyrtarin policor Dejan Pantiq, i arrestuar për sulmin ndaj policëve e zyrtarëve të komisioneve komunale zgjedhore, në fillim të dhjetorit.
Dy javë pas, policët në stacionin policor në Leposaviq, janë ndërruar me kolegët e tyre.
Shkaku i bllokadave, të vendosura tash e 16 ditë, ata kanë mbetur të bllokuar në këtë stacion policor.
Detaje për ndërrimin e tyre nuk kanë dhënë nga Policia e Kosovës.
Por, për ta kanë folur misioni i EULEX-it në Kosovë.
Në një përgjigje për kossev, nga ky mision kanë konfirmuar se të shtunën kanë përcjellë konvojin e policisë.
“Pas kërkesës zyrtare të Policisë së Kosovës, më 24 dhjetor, EULEX-i ka përcjellë një kolonë të policëve të rregullt të Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë rotacion dhe kanë zëvendësuar policët e rregullt në stacionin policor në Leposaviq”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Shefi i EULEX-it, ka konfirmuar të dielën se ekipi mjekësor I misionit që drejton kanë vizituar ish-zyrtarin policor, Dejan Pantiq.
Arrestimi i tij, me dyshimin se ka sulmuar policë e zyrtarët e komisioneve komunale zgjedhore, ka bërë që të barrikadohen rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.
“Me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës, një ekip mjekësor i EULEX-it e kontrolloi mbrëmë z. D. P. i ndaluar nga Policia e Kosovës. Ky është kontrolli i dytë mjekësor i z. D. P. i kryer nga ekipi mjekësor i EULEX-it. I pari ishte para një jave”, ka thënë shefi i misionit të EULEX-it, Lars Gunnar-Wigermark.
E barrikadat në veri, kanë nxitur sërish reagimin e ish-ambasadorit gjerman, Wolfgang Ischinger.
Duke iu kundërpërgjigjur kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, ai tha se shqetësimet që kanë nuk është në rregull që të adresohen përmes nxitjes së dhunës.
“Ka sigurisht kërkesa legjitime, nga të dyja palët, në fakt. Ajo që nuk është në rregull, është që të adresohen shqetësimet e tilla nëpërmjet nxitjes së dhunës dhe shqetësimit publik. Serbia e di saktësisht si të veprojë si fuqi e përgjegjshme! Krishtlindja do të thotë paqe!”, ka thënë ai.
Situatën në veri e veprimet që do të ndërmerren, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se pret t`i sqaroj në takimin që do e ketë me komandantin e KFOR-it.
Ky takim, nga Kurti, është paralajmëruar se do të mbahet pas Krishtlindjes.