Në protestën e thirrur nga Partia Socialdemokrate, qytetarët janë tubuar në sheshin kryesor të Prishtinës për të kundërshtuar dënimin me 26 vjet burgim, që Gjykata Speciale ditë më parë ia ka shqiptuar komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa. Janë drejtuar edhe akuza ndaj Gjykatës Speciale se po gjykon luftën e UÇK-së për liri. Ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka qenë njëra prej kërkesave
Me parullën, “Jo në emrin tim”, protestuesit ia kanë mësyrë sheshit të Prishtinës për ta kundërshtuar dënimin me 26 vjet burgim të komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale. Në protestën e thirrur nga PSD-ja morën pjesë edhe organizatat e dala nga lufta e disa deputetë të PDK-së. Në mesin e tyre edhe familjarë të Mustafës i njohur në luftë me nofkën Cali. Protestuesit në duar kanë mbajtur parullat me emrat e të gjithë të akuzuarve për krime lufte që po mbahen në paraburgim në Hagë. Marshit i priu në mes të tjerëve edhe djali i Calit. Protestuesit që thërrisnin “liri për çlirimtarët” kanë ecur nga sheshi që mbanë emrin e komandantit Zahir Pajaziti deri tek ai me emrin e presidentit Ibrahim Rugova.
Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë me këtë protestë po kërkohet edhe që të ndryshohet juridiksioni i Gjykatës, në nenet 6 dhe 16 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Andaj, neni 6 i këtij ligji duhet të kërkojë ndjekjen e krimeve e jo përndjekjen e UÇK-së. Nëse duam drejtësi, ndiqen krimet, nëse duam padrejtësi ndiqet UÇK-ja dhe përpjekja jonë për liri. Neni 16 po i jep mundësi Gjykatës për vendim arbitrar, sepse përmes këtij neni, nuk po kërkohen më dëshmi dhe prova, por po kërkohen komandantët e udhëheqësit për t’u dënuar”, ka thënë Molliqaj.
Sipas tij duhet të ketë bashkëpunim të krejt popullit, meqë siç ka thënë, nën akuzë është përpjekja për liri, themeluesit e UÇK-së, Shtabi i Përgjithshëm e komandantët e zonave operative.
Lideri i PSD-së ka theksuar se nuk kanë dalë në shesh as për t’i dekoruar ata që e kundërshtuan Gjykatën në Kuvend e as për t’i fajësuar ata që e kishin votuar.
“Ata që e kanë kundërshtuar këtë Gjykatë, nëse e kanë pasur përnjëmend e kanë detyrë dhe obligim sot me e luftu edhe më shumë se atëherë. E ata që e kanë votuar këtë Gjykatë nën presionin e akuzës për trafikim organesh, sot e kanë të drejtën legjitime, historike, demokratike ta kundërshtojnë edhe më shumë se sa ata që e kundërshtuan”, ka thënë Molliqaj.
Faton Klinaku që po drejton OVL-në, në mungesë të Hysni Gucaitit i cili gjendet në burg në Hagë, ka thënë se padrejtësitë e Gjykatës i kanë adresuar disa herë me kërkesa ndaj deputetëve, të cilat ka thënë se nuk ishin përfillur. Prandaj, ka kërkuar që kësaj here, Kuvendi i Kosovës të jetë në nivel të detyrës dhe ta ndryshojë ligjin e Dhomave të Specializuara.
“Padrejtësia tjetër e kësaj Gjykate ishte edhe dënimi për krime Lufte ndaj komandant Sali Mustafa – Cali, i cili u dënua me 26 vjet burgim me dosje të përpiluara nga Serbia, me dëshmitarë të fshehur nga populli, e dënim në emër të popullit, për vrasjen që është kryer nga Serbia. Çfarë absurdi i llojit të vet”, ka deklaruar Mustafa.
Nëse deputetët nuk i përgjigjen pozitivisht kërkesës së PSD-së për ndryshimin e Ligjit, Molliqaj ka thënë se një gjë të tillë do ta bëjnë përmes peticionit.
Klinaku ka përmendur edhe krerët e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn për ta akuzuar Specialen se ka bashkëpunuar me Serbinë.
“Për arsye të kundërshtimit të padrejtësive, krerët e Organizatës së Veteranëve, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj gjenden prapa grilave në Hagë, gjoja për pengim të drejtësisë. Në vend se Specialja ta hetojë veten e saj për skandalet që i dolën nga zyrat e tyre, ata mbi dy vjet mbajtën peng Hysniun e Nasimin dhe kur e shqiptuan dënimin e bënë me direktiva politike. Si mund të dënohen krerët e organizatës me nga katër vjet e gjysmë, sepse organizata e jonë e ka njoftuar publikun për bashkëpunimin me Dhomat e Specializuara me pushtuesin serb”, ka deklaruar ai.