LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Urgjentisht të largohen barrikadat në veri

Nevojë urgjente e ka konsideruar presidentja Vjosa Osmani largimin e barrikadave nga veriu i Kosovës, për të cilat ka thënë se janë vendosur nga bandat kriminale të dirigjuara nga presidenti i Serbisë, Vuçiq.

Kërkesën e ka përsëritur pas takimit me emisarin e Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, i cili të hënën takoi liderët e shtetit.

Sipas komunikatës së Presidencës, Osmani ka shprehur falënderim për mesazhin e qartë të SHBA-së, lidhur me zhvillimet në veri të vendit.

“Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon. Presidentja Osmani ka theksuar nevojën urgjente të heqjes së barrikadave në veri të vendit të vendosura nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të dirigjuara nga Vuçiqi. Ajo potencoi se sulmet ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare janë krime për të cilat autorët e këtyre sulmeve duhet të përballen urgjentisht me drejtësinë. Në takim me emisarin Escobar, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në procesin e dialogut, dhe se veprimet e Serbisë janë tentim për të minuar dialogun për njohje të ndërsjellë”, thuhet nga Presidenca e Kosovës.

Pas Osmanit, diplomati amerikan i ka shkuar në zyre kryeministrit Albin Kurti. Në asnjërin prej takimeve nuk ka pasur deklarata për media.

Bashkë me Escobarin planifikohej të vinte edhe këshilltari i lartë për siguri në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Por, vizitën e anuloi për shkak të siç ka thënë, infektimit me Covid 19.

E një ditë më herët, ambasadat e SHBA-së në Prishtinë e Beograd përmes një komunikate të përbashkët dënuan sulmet ndaj organeve të sigurisë së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare. Po ashtu, u kërkua largimi i menjëhershëm i barrikadave, të cilat janë duke e pamundësuar lëvizjen e lirë drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.