LAJMET E MBRËMJES

Serbia kërcënon me dërgim të ushtrisë, Osmani thotë se kjo s’do të ndodhë kurrë

 

Zyrtarët e lartë të Serbisë i janë kundërpërgjigjur shtimit të prezencës së Policisë së Kosovës në veri me kërcënimin se do ta dërgojnë ushtrinë në këtë pjesë. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se në këto rrethana Serbia ka të drejtën bazuar në Rezolutën 1244, që të kthejë një numër të caktuar trupash në Kosovë. Por, presidentja Vjosa Osmani në reagimin e saj ka deklaruar se në territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë. Kthimin e forcave ushtarake serbe e konsiderojnë të pamundur edhe njohësit e çështjeve të sigurisë

Shtimit të prezencës së Policisë në veri Serbia i është kundërpërgjigjur me kërcënimin se në Kosovë do ta kthejë ushtrinë e saj.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë për mediat serbe se veprimet e homologut të saj, Albin Kurti, “gati sa e sollën gjendjen në prag të konfliktit të armatosur”.