Vendimi i ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që t’ia japin Kosovës dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave është përcjellë me reagime në Prishtinë e Beograd.
Kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur vendimin, por Qeverisë së tij ia ka faturuar meritat. Ka thënë se ky vendim është njohje dhe konfirmim i përkushtimit të Qeverisë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrollit kufitar dhe menaxhimin e migrimit.
“Kriteret teknike vërtet ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, për çka i jemi mirënjohës administratës shtetërore. Por, ishin kërkesat për sundim të ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit dhe respektim të institucioneve të pavarura që nuk përmbusheshin dot”, ka shkruar Kurti.
Kryeministrit i ka reaguar Vlora Çitaku, e cila është nënkryetare e PDK-së në opozitë. Për vonesën e vendimmarrjes në Bruksel ajo e fajësoi Kurtin, të cilit ia ka rikujtuar se sa ishte në opozitë ka përdorur edhe gaz lotsjellës në Kuvend kundër demarkacionit me Malin e Zi, që përbënte kërkesën e fundit të BE-së për liberalizimin.
Kryeministër, kriteret Kosova i ka përmbushur moti. Siç shpresoja ta kishit kuptuar së paku javën e kaluar, kur çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën u hoq nga agjenda, vonesat për Kosovën së paku nga viti 2018 janë të pajustifikueshme dhe të natyrës politike. E sa për kontributin tuaj në këtë proces, ai fillon dhe përfundon me gazin lotsjellës në Parlament”, ka shkruar Çitaku.
Vendimi për vizat është përshëndetur nga diplomatë të akredituar në Prishtinë, përfshirë ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde. Në një postim në Twitter, Rohde ka thënë se kjo çështje është vonuar shumë dhe se Gjermania gjithmonë ka punuar që procesi të ecë përpara.
Por, politikanët në Serbi janë të vetmit që kanë konsideruar se vendimi nuk do të duhej të merrej. Kryediplomati serb, Ivica Daçiq, ka thënë se është kundërproduktive të shpërblehet Kosova. Ky zyrtar serb ka theksuar se vendimi për vizat nuk i bën mirë as BE-së, e për të cilën ka vlerësuar se nuk ka autoritet dhe përdor standarde të dyfishta.
Tensionet Kosovë-Serbi janë përmendur nga Presidenca Çeke një javë më parë si arsye për ta shtyrë për disa ditë vendimin për viza të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.