LAJMET E MBRËMJES

Rizvanolli paralajmëron investime, në mënyrë që Vala të operojë në veri

Qeveria ka shprehur zotimin për ta mbështetur financiarisht Telekomin, në mënyrë që valët e tij të emetohen edhe në veriun e Kosovës, ku operatorë telefonikë të Serbisë kanë hapësirën kryesore.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë vizitës që i bëri operatorit publik të telefonisë, tha se javëve në vijim do t’i alokojnë te kjo ndërmarrje 14 milionë euro.

“Jemi duke shikuar mundësi për të përballuar investimet kapitale për të shtrirë rrjetin në komunat në veri në vlerë prej 1 milion eurosh javëve në vijim. Së paku 13 milionë euro për migrimin në kodit telefonik të Kosovës nga kodi i Monakos”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli tha se në këtë ndërmarrje publike situata ka ndryshuar për mirë.

“Sot jemi para një momenti shumë me rëndësi. Telekomi është në fund të procesit të zëvendësimit rrënjësor të teknologjisë për telefoninë mobile, jemi gjithashtu në një pikë të rëndësishme ku një obligim i përbashkët i yni si qeveri, por edhe i Telekomit për ta përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve dhe për ta shtrirë Telekomin në të gjithë vendin është duke u realizuar”, tha Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë tha se Telekomi duhet të vazhdojë me trendin e këtij viti edhe më tej, ndërsa kërkoi që të rrisë gamën e shërbimeve që ofron.