LAJMET E MBRËMJES

Kujtohet figura e komandantit legjendar Adem Jashari, në përvjetorin e lindjes së tij

Përulje e nderime kanë bërë përfaqësues të institucioneve para varreve të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe familjarëve të tij në kompleksin memorial në Prekaz.

Hero të dinjitetit të popullit shqiptar e ka quajtur atë presidentja Vjosa Osmani.

E në përvjetorin e lindjes së komandantit Adem Jashari, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se Qeveria do të punojë çdo ditë që të realizohet ideali i tij.

“Në vendin ku më mirë se gjithkund tjetër në Kosovë të dëshmohet sakrifica jonë në këtë ditë të rëndësishme, ku jemi krenarë për të gjithë ata burra dhe gra që për dekada dhe shekuj kanë punuar palodhshëm dhe me vetë-mohim për të gëzuar këtë liri që ne sot e kemi, dhe për të reflektuar për ato obligime, të cilat ende nuk i kemi përmbushur si Qeveri e Kosovës zotohemi se për 365 ditë të çdo viti do të punojmë që zotimet e komandantit legjendar, Adem Jashari, por edhe komandantëve të tjerë që nga koha e Skënderbeut përfundimisht të realizohen”, tha Bislimi.

Për ta nderuar sakrificën e familjes Jashari, homazhe në Prekaz bënë edhe deputetë e anëtarë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se shqiptarët nuk duhet të harrojnë çmimin e paguar për liri.

“Ngado që të shkojmë si shqiptarë nga këtu nisemi nga Prekazi legjendar, nga themeli i shtetit të pavarur të Kosovës. Nga këtu sot për të shënuar 28 nëntorit, nëntorin e madh festën e shumëfishtë të shqiptarëve dhe në një ditë si kjo është mirë t’ia kujtojmë vetes çmimin e lartë të lirisë, t’ua mësojmë fëmijëve tanë, të mos e marrim të mirëqenë lirinë që e kemi dhe ta duam vendin dhe njëri-tjetrin më shumë”, tha Çitaku.

Krahas figurave politike, edhe një numër i qytetarëve vendosën të hënën, që 110-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ta kalojnë në Prekaz.

Ali Januzi, i cili thotë se ishte bashkëluftëtar i komandantit Adem Jashari, theksoi se sakrifica e tij duhet të mbahet gjallë për gjeneratat e reja.

“Kemi ardhur këtu në këtë vend sepse ky vend për kombin shqiptar është një vend i shenjtë, sepse këtu është krijuar një histori këtu është bërë luftë për një Shqipëri të bashkuar, për një Shqipëri unike, për një Shqipëri që gjeneratat tona këtu në Kosovë të jetojnë të lirë. Në gjithherë duhet të jemi mirënjohës për heroizmin e Adem Jasharit dhe familjen Jashari, dhe për të gjithë heronjtë dëshmorët që kanë rënë për ardhmërinë e gjeneratave që vijnë pas nesh”, tha qytetari Ali Januzi.

Për nder të 28 Nëntorit, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim Arkivat e Shqipërisë, në Kompleksin Memorial në Prekaz, e kanë hapur ekspozitën “Të ndarë, por të pashkëputur”.