Akuzë të re kundër përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, adresoi të mërkurën kryeministri Albin Kurti.
Nga mbledhja e Qeverisë, ai tha se gjatë takimit trelateral të së hënës në Bruksel, Borrelli i është përshtatur më shumë qëllimit të Serbisë për targat ilegale të veturave dhe e hoqi nga agjenda propozimin franko-gjerman, të kualifikuar së fundi si të BE-së, që përfundimin e negociatave për marrëveshje rreth normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi e parashihte më së voni deri në marsin e vitit 2023.
“Filloi të negociojë për një marrëveshje vetëm për pezullim të vendimit. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja për normalizimin u zhduk nga tavolina, vetëm për t’iu përshtatur presidentit të Serbisë që kishte ardhur vetëm për targat”, ka theksuar Kurti.
Kritikat në llogari të BE-së, Kurti i vazhdoi duke u përqendruar te dakordimi Kosovë-Serbi për të pagjeturit që nga gushti, teksa tha se me gjithë që Serbia nuk e nënshkroi marrëveshjen, nga BE-ja nuk ka pasur kritika.
“Kur vjen puna për nënshkrim, unë jam i gatshëm, Serbia nuk është dhe asnjë dënim, asnjë gjykim, asnjë kritikë ndaj Beogradit. Por edhe njëherë po them, ne jemi të përcaktuar për rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike. Kurrë nuk hidhërohemi, kurrë nuk mbajmë inat, veç le të kryejmë punë”, është shprehur Kurti.
Ai për më tepër ngriti dyshime nëse propozimi franko-gjerman është edhe i BE-së, ashtu siç pati pohuar Borelli.
“Njëmend qenka franko-gjerman. Pasi nuk ka si ndryshe që BE-ja të heqë dorë aq kollaj e të thotë po merremi me targa”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti tha se me shtyrjen prej 48 orësh të afatit për shqiptimin e gjobave ndaj ngasësve të veturave me targa ilegale, Kosova ka treguar se është duke bërë përpjekje për një dakordim.