Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e ka kualifikuar absurd rrezikimin e një konfrontimi të dhunshëm në Kosovë për shkak të vendimit të Qeverisë për targat. Për tejkalimin e kësaj situate ai ka kërkuar vullnet politik. Por, për dallim prej tij, ish-ministri i Jashtëm i Suedisë nuk ka parashikuar përshkallëzim të situatës, pasi targat dhe Asociacioni kanë thënë të jenë probleme të moçme. Por, për formimin e Asociacionit të shtunën nga Serbia u kërkua presion më i madh ndërkombëtar ndaj Kosovës.
Përshkallëzimi i mundshëm i situatës në veri për shkak të vendimit të Qeverisë për konvertimin e targave ilegale serbe është cilësuar si absurd nga ambasadori gjerman në Kosovë.
Nëpërmjet një postimi në Twitter ambasadori Jorn Rohde ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të demonstrohet urgjentisht vullnet politik për mënjanimin e rrezikut për dhunën në veri.
“Nevojë urgjente është vullneti politik për depërshkallëzim dhe kompromise në bazë të marrëveshjeve të Brukselit! Absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për targat ndërkohë që Rusia po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës me viktima tashmë të panumërta”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Qeveria pritet që ta nisë më 21 nëntor masën e shqiptimit të gjobave për serbët e veriut që nuk i konvertojnë targat e lëshuara nga Serbia në ato RKS. Kjo është faza e dytë e zbatimit të vendimit pas asaj të fletëqortimeve për qytetarët serbë që nuk i binden vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Zmbrapsjen nga ky vendim Qeverisë ia kanë kërkuar së fundmi aleatët ndërkombëtarë. Porse hyrja në fuqi e vendimit për fletëqortime ka rezultuar me daljen e serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës. Pas kësaj, Kosovës i është bërë thirrje e sërishme për shtyrjen e vendimit mbi targat, si dhe i është kërkuar themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Përkitazi me Asociacionin, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, të shtunën ka shprehur vërejtjen se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë treguar hezitues në presionin mbi kryeministrin Albin Kurti.
“Për Beogradin është e papranueshme që ne të kthehemi në diçka që është nënshkruar dhe rënë dakord vetëm sepse Brukseli dhe SHBA-ja hezitojnë të detyrojnë Albin Kurtin të përmbushë detyrimin. Ne nuk do të biem në atë kurth dhe as nuk do të pranojmë beteja për supremaci mes Brukselit dhe Parisit, Berlinit dhe Washingtonit që zhvillohet pas shpinës sonë”, ka thënë Daçiqi.
Daçiqi ka kërkuar po ashtu që të ketë mobilizim për ta detyruar Kosovën që ta respektojë marrëveshjen e nënshkruar në kuadër të dialogut.