LAJMET E MBRËMJES

Haradinaj fton Kurtin në interpelancë për veriun

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti të raportojë në Kuvend mbi situatën politike dhe të sigurisë, pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë të veriut nga institucionet e Kosovës. Krahas kësaj, ai ka njoftuar se do të dorëzojë në Kuvend edhe një rezolutë për veriun, e në rast të mosaprovimit të saj ka paralajmëruar edhe disa masa të tjera

Kërkesë për interpelancë në Kuvend lidhur me gjendjen në veri i ka bërë kryeministrit Albin Kurti kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Nëpërmjet një konference për media, ai ka akuzuar Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani për mungesë serioziteti në raport me situatën e sigurisë në veri, të cilën e vlerësoi si ndër më të rëndën që nga paslufta.

“Për fat të keq veprimet e institucioneve të Kosovës nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar. Kryeministri i vendit në vend që të përfill kërkesën e SHBA-së për të shtyrë zbatimin e marrëveshjes për targat, ka zgjedhur skenarin më të keq, zbatimin me faza të kësaj marrëveshjeje, me çka i ka lënë hapësirë edhe Serbisë që ta luajë rolin e viktimës dhe të ndërmarrë veprime anti-Kosovë. Fatkeqësisht as presidentja e as Kuvendi i Republikës nuk kanë vepruar në përputhje me seriozitetin e situatës, duke vepruar sikur në vend këto dy javë nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme”, ka thënë Haradinaj.

Krahas kërkesës për interpelancë, Haradinaj ka thënë se i është drejtuar Kuvendit me një rezolutë që do ta shtyjë Qeverinë drejt vendimit për zgjatjen e afatit për targat.

“Pika e parë, Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targat deri në marrëveshjen finale për njohje me Serbinë. Pika e dytë, institucionet e Kosovës, Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet e tjera në të gjitha nivelet të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë”, është shprehur Haradinaj.

E po qe se rezoluta nuk merr aprovimin, Haradinaj ka paralajmëruar shqyrtimin edhe të masave të tjera.

Ai ka thënë gjithashtu se Qeveria duhet të kërkojë edhe një samit me Shtetet e Bashkuara për përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje midis Kosovës dhe Serbisë.