Serbët në veri, sipas kryeministrit Albin Kurti, nuk e kanë problem vendimin e Qeverisë së Kosovës sa u përket targave, por kërcënimet nga ata, që, siç tha ai, e kanë problem zbatimin e ligjit.
Në adresimin e tij në mbledhjen e kabinetit qeveritar, shefi i ekzekutivit ka thënë se mungesa e sundimit të ligjit është kërcënim për qytetarët në katër komunat veriore.
“Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin. Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës, janë ata të cilëve u pengojnë ligjshmëria dhe kushtetutshmëria, luftimi i kriminalitetit dhe i korrupsionit në vendin tonë”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të sigurisë së paqes.
Një ditë më parë, zëvendëskryetari i Listës Serbe dhe kryetar i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka bërë thirrje që edhe serbët në jug të Kosovës të largohen nga institucionet e Kosovës.
Thirrja e tij u bë pas largimit të serbëve nga institucionet në veri, përfshirë nga Policia, prokuroritë, gjykatat, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.
Të mërkurën, EULEX-i ka njoftuar se njësitet policore të këtij misioni janë përforcuar me 23 karabinierë italianë. Sipas këtij misioni, ata do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë pas situatës së krijuar në veri.
Shtimi i tyre është vlerësuar nga ish-kryenegociatorja, Edita Tahiri, por ajo ka kërkuar sqarim nga Qeveria për rritjen e prezencës së EULEX-it në veri.
“Shtimi i prezencës së EULEX-it në veri i shërben qetësisë dhe sigurisë, mirëpo kjo rrezikon ta kthejë në protektorat veriun, të cilën e synon Serbia. Qeveria duhet të japë shpjegime si u rrit prezenca e EULEX-it në veri, a u kërkua leje nga Qeveria apo ndoshta kjo qeveri kaq lehtë e dorëzon sovranitetin në veri, të cilin e arritëm me shumë mund përmes dialogut të Brukselit”, tha Tahiri.
Për situatën në veri, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ka raportuar drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti. Për atë çfarë është diskutuar në takim ka njoftuar kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu.
“Sa i përket gjendjes së sigurisë, mund të konstatojmë se, në bazë të asaj që dëgjuam nga drejtori, gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës dhe në Kosovë në përgjithësi është e qetë, por gjithmonë me mundësi të përshkallëzimit”, tha Musliu.
Javëve të fundit janë raportuar disa incidente në veri të Kosovës, që kishin cak kryesisht serbët që kanë riregjistruar makinat e tyre nga targat ilegale në ato RKS. Tensionet u rritën pas fillimit të zbatimit të planit që parasheh masa sanksionuese për pronarët e veturave që nuk i konvertojnë targat më RKS.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.