LAJMET E MBRËMJES

Opozita e quan “me gabime” Projektligjin për mbështetje të punëve publike

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kostoja e përgjithshme e Projektligjit është vështirë që të specifikohet, pasi që ajo varet nga autoritetet kontraktuese dhe nga aplikimet prej operatorëve ekonomikë. Por deputetët opozitarë, njëherësh anëtarë të Komisionit për Buxhet, kanë theksuar se draftligji në format të tillë krijon pasiguri dhe lë hapësirë për abuzime

Ministria e Financave nuk është në dijeni se sa do të jetë kostoja e Projektligjit për mbështetjen e punëve publike, ani se drafti parasheh subvencionimin e çmimeve të rritura në vlerë deri në 20 për qind.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kostoja e përgjithshme është vështirë që të specifikohet, pasi që ajo varet nga autoritet kontraktuese dhe nga aplikimet prej operatorëve ekonomikë. Por deputetët opozitarë, njëherësh edhe anëtarë të Komisionit për Buxhet, në të cilin të hënën është diskutuar përmbajtja e Projektligjit, kanë theksuar se draftligji në format të tillë krijon pasiguri dhe lë hapësirë për abuzime.

Qëndrimet e kundërta rreth Projektligjit shkaktuan përplasje gjatë diskutimit në Komision midis deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, dhe ministrit Murati.

Hoti e ka kualifikuar si krejtësisht të gabuar draftligjin e sjellë nga ekzekutivi, teksa ka theksuar se në kltë format ai gjeneron çrregullim në konkurrencë.

“Mënyra se si e keni shtruar zgjidhjen e këtij problemi është gabim dhe jep mundësi për abuzime. Mendoj se rruga e duhur është amendamenti i Ligjit për Prokurim Publik. Me një nen të vetëm do të ishte zgjidhur kjo çështje, pasi që edhe jemi vonuar bukur shumë. Rritja e çmimeve është që nga muaji mars. Në prill veçse është ditur se është e qëndrueshme”, ka thënë Hoti.

Duke shprehur mospajtimin me qëndrimin e Hotit, Murati ka theksuar se Projektligji ofron një zgjidhje për situatën e krijuar me ngritjen e çmimeve.

“Për punët që pritet të kryhen në këtë periudhë sa parashihet që mund të ketë inflacion dhe shpresojmë deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri për prokurim publik, pastaj që mbulon periudhën tjetër, pas qershorit të vitit të ardhshëm. Ne kemi paraparë këtë kompensim, nëse ky kompensim prej një vlere maksimumi 20 për qind nuk mjafton, atëherë qasja më e mirë është të ritenderohet”, ka thënë ai.

Projektligji, sipas Muratit, parasheh kompensimin për inflacionin për ato materiale ndërtimore që janë ndikuar nga inflacioni.

“Çimento, hekur dhe produktet e hekurit, plastika dhe produktet e plastikës, betoni dhe produktet e tij, si dhe zhavorri dhe alumini. Po ashtu, parashihet edhe kompensimi për punë të tjera që do të duhej të reflektonte në indeksin e harmonizuar të çmimeve. Të drejtë për të kërkuar kompensim parashihet të kenë operatorët ekonomikë që dëshmojnë se materialet ndërtimore kanë pësuar rritje të çmimeve”, ka thënë Murati.

Ministri i Financave ka bërë të ditur, po ashtu, të jetë vendosur një tavan për nivelin e kompensimit në rastet e materialeve specifike.

“Duhet të specifikohet pesha e tij në kontratë apo në situatën në punën e kryer, por ajo mesatare nuk duhet të kalojë 20-përqindëshin, pasi tavani është i tillë. Ne konsiderojmë se nëse kalon këtë shifër më e udhës është të ritenderohet dhe të shkëputet kontrata”, ka thënë ai.

Duke shprehur mospajtimin, Hoti i ka kualifikuar deklaratat e ministrit si puro politike.

“Ti në standard mbron pozicione të pambrojtshme. Këto që po i them nuk janë vlerësime, janë situatë, të dhëna janë shifra”, ka thënë Hoti.

Kritika kundër projektligjit kanë shprehur edhe dy deputetë të tjerë opozitarë, Ferat Shala nga Partia Demokrtaike (PDK) dhe Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Deputeti Shala ka thënë se të dhënat e përfshira në projektligj përbëjnë një shabllon dhe janë të pabazuara në analizë.

“Tash po del se fare nuk keni analizë. Tash po del se keni lënë vija shabllon, pasi që ato të infrastrukturës, që po thua, nuk janë zink. Tjetër është materialet e hekurit të zinguara. Këtu mundësia e operimit me çmime, veçanërisht ajo e keqpërdorimit, është tepër e madhe. Nuk keni specifikim, nuk keni analizë”, ka thënë Shala.

Deputeti Lekaj ka insistuar që të mësojë se sa do t’i kushtojë Projektligji buxhetit të Kosovës.

“A keni bërë ndonjë përllogaritje? Sa kompani janë të kontraktuara, sa të tilla duhet të subvencionohen dhe të paguhen”, ka thënë Lekaj.

Projektligji, i cili është përcjellë në seancë me vota të deputetëve të pushtetit, e parasheh kompensimin shtesë deri në 20 për qind për materialet ndërtimore që janë shtrenjtuar si pasojë e inflacionit.

Mbështetja parashihet për kontratat e nënshkruar para datës 1 prill të vitit 2022, si dhe për periudhën prej korrikut të sivjetmë deri në qershorin e vitit 2023.