LAJMET E MBRËMJES

Mësimdhënësve u dalin pagat, ministri thotë se është paradhënie

 

Mësimdhënësve të premten u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator. Siç ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, pagesa është ekzekutuar në formë paradhënieje për orët e humbura, që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri. E, kundër idesë së kompensimit të orëve të humbura të shtunave është shprehur sot Këshilli i Prindërve, derisa kryetarët e komunave kanë dalë me një propozim të tyrin

Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar të premten pagesat për mësimdhënësit grevistë. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shkruar se pagesa paraqet paradhënie për orët e muajit shtator, që, siç e potencoi, do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri të mësimit, të miratuar nga MASHTI. Njoftimin mbi ekzekutimin e pagesave dhe arsyetimin për këtë vendim e ka dhënë edhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) nëpërmjet një komunikate.

“Organizatat buxhetore duhet të vendosin nëse do t’i procedojnë pagat si paradhënie për orët e shtatorit që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimor të miratuar nga MASHTI, përndryshe duhet të veprojnë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva. Pas përfundimit të procedurave dhe rikonfirmimit të listave nga OB-të që paradhënia procedohet në përputhje me kalendarin e ri mësimor, Thesari do të procedojë sot me ekzekutim të pagave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.