LAJMET E MBRËMJES

Deputetët përplasen rreth Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi e buxhetit të paktë për barna

Mbulim të dështimeve të Qeverisë në rrafshin e shëndetësisë e quajtën deputetët e opozitës formimin e Komisionit Ekzekutiv të shëndetësisë nga kryeministri Albin Kurti.

Këtë kritikë ata e shpërfaqën në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi, në të cilën për më se 3 orë raportuan ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Pranvera Zejnullahu-Raçi ,dhe kryesuesja e Bordit, Aida Rexhepi.

Rexhepi u pyet nga deputeti i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, mbi mungesën e bashkëpunimit me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, për çka tha të ketë çuar në formimin e Komisionit Ekzekutiv, si dhe për dyshimet rreth ndërhyrjes në konkursin për drejtorë të spitaleve.

“Ne kemi dëgjuar që s’keni bashkëpunim të mirëfilltë me ministrin e Shëndetësisë dhe kjo ka bërë që të formohet komiteti dhe të quhet ministër i shëndetësisë. Pse ka ardhur kjo gjendje, që të lëshohet në kushte teknike kryeministri?”, tha Zemaj.

Pretendimet i hodhi poshtë kryesuesja e SHSKUK-së.

“Ai do të ndihmojë. Nuk është se ne kemi dalë të paaftë. Mbështetja e tij na ndihmon shumë. Ai s’ka nevojë të hyjë në mikromenaxhim, por është për t’i zhvilluar proceset”, deklaroi Aida Rexhepi, kryesuese e Bordit në SHSKUK.

Vazhdimi i mbledhjes u përcoll me përplasjet midis deputetëve opozitarë dhe kryetares së komisionit, Fatmire Mullahaxha-Kollçaku. Për disa minuta rresht, mes tyre u debatua mbi shumën prej 150 mijë eurosh, për të cilën KOHA ka raportuar të martën se i kanë mbetur SHSKUK-së për furnizim me barna, deri në fund të vitit. Përplasje patën edhe për monitorimin e hyrje-daljeve për stafin e shërbimit.

Midis përplasjesh, zyrtaret nga SHSKUK-ja bënë zotimin për alokim të mjeteve dhe se qytetarët nuk do të mbesin pa barna.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së e kualifikoi si momentale sfidën me buxhetin.

“Buxheti është sfidë momentale, për të cilin ne mund të diskutojmë edhe ka rezultuar nganjëherë edhe me marrjen e masave dhe vendimeve që është dashur të merren aty për aty. Edhe që ne jemi për çdo ditë duke e përcjellë situatën”, deklaroi Pranvera Zejnullahi–Raçi, u.d. e drejtoreshës në SHSKUK.
Si një prej problematikave në shëndetësi, nga deputetët e Komisionit u ngrit përsëri çështja e mungesës së nëpunësve shëndetësorë, si dhe kalimi i tyre nga shërbimi publik në atë privat. E Zejnullahu-Raçi mori kritika për vendimin e menaxhmentit të SHSKUK-së që ua ndalon specialistëve që të angazhohen si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.