LAJMET E MBRËMJES

Me 17 ankesa në AIP, Prishtina “kampione” për mostransparencë

Krahas Prishtinës, Valon Kryeziu, ushtrues i detyrës së drejtorit të AIP-së, ka bërë të ditur se ankesa janë paraqitur edhe për Komunën e Kaçanikut (6), të asaj të Podujevës (4), të Klinës (3), të Kamenicës (3), Prizrenit (3) dhe Parteshit (1)

Prishtina dhe Kaçaniku janë dy komunat e Kosovës ndaj të cilave Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka pranuar më së shumti ankesa rreth mostransparencës gjatë këtij viti.

Gjithsej 17 ankesa janë pranuar për kryeqytetin dhe 6 për Komunën e Kaçanikut, është bërë e ditur të hënën nga AIP-ja, gjatë shpalosjes së një raporti në diskutimin me përfaqësues të komunave, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit.

Valon Kryeziu, ushtrues i detyrës së drejtorit të AIP-së, ka bërë të ditur se krahas Prishtinës dhe Kaçanikut, ankesa janë paraqitur edhe për Komunën e Podujevës (4), atë të Klinës (3), të Kamenicës (3), Prizrenit (3) dhe Parteshit (1).

Kryeziu ka thënë se ndaj komunave të Rahovecit dhe të Vushtrrisë janë paraqitur gjithashtu nga 3 ankesa, ndaj asaj të Mitrovicës dhe të Novobërdës nga 2 ankesa, përderisa ndaj komunave të Kllokotit, Zveçanit, Deçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit, Shtërpcës, Dragashit, Ranillukutut, Junikut e Graçanicës nga një ankesë për mostransparencë.

Krenare Sogojeva-Dërmaku, komisionere e AIP-së, ka thënë, gjatë diskutimit me kryetarë të komunave, se për një shoqëri të hapur dhe demokratike qasja në dokumente publike përbën elementin krucial.

“Qasja më e lehtë në dokumente publike e përmes saj edhe përfshirja e qytetarëve në qeverisjen lokale është një element krucial për një shoqëri të hapur dhe demokratike. Prandaj sivjet moton e kemi: ‘Tash edhe më lehtë’, për çka ne edhe presim një publikim proaktiv me vetiniciativë nga ana juaj, në mënyrë që t’i përfshini qytetarët tuaj në vendimmarrje, por edhe që t’ua bëni atyre jetën më të lehtë”, ka theksuar Sogojeva–Dërmaku.

Zëvendësshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl, ka potencuar rëndësinë e rolit të komunave, si dhe të vetë Agjencisë për të siguruar të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumente publike.

“Përgëzoj komunat për respektimin e Ligjit për qasje në dokumente publike, për emërtimin e zyrtarëve përkatës për të lehtësuar implementimin e ligjit për qasje në dokumente publike. Në të njëjtën kohë, Agjencia, roli i asaj për të ruajtur të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumente publike, është po aq e rëndësishme për të siguruar transparencën e vetë institucioneve publike”, ka thënë Wahl.

Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka thënë se Kosova radhitet lart sa i përket transparencës e llogaridhënies karshi qytetarit.

“Në asnjë rast deri më tani nuk ka ndodhur që qytetarët e Kosovës apo OJQ-të që janë të angazhuara për mbrojtjen e interesit të një grupi të caktuar të mos përfshihen në hartim të rregulloreve komunale që prekin interesat e atij grupi. Nëse marrim dhe krahasojmë se çka ka ndodhur sa i përket transparencës, llogaridhënies gjatë këtyre viteve, mund të themi se jemi më të mirët në rajon”, ka deklaruar Ibrahimi.