LAJMET E MBRËMJES

Prindërit e nxënësit e “Faik Konicës” kërkojnë që mësimi të nisë menjëherë

Oborri i shkollës “Faik Konica” në kryeqytet u mbush me prindër e me nxënës mesditën e së hënës. Por shkolla i mbajti dyert të mbyllura, ani se viti shkollor duhej të niste që nga 1 shtatori.

Prindër e nxënës kanë protestuan kundër grevës së mësimdhënësve dhe kanë kërkuan që procesi mësimor të nisë menjëherë.

Nxënësit thanë se u mungon shkolla.

“Unë kam dëshirë shumë të kthehem në shkollë, sepse më ka marrë malli për shokët dhe shoqet, por edhe për mësimet”, tha nxënësi Haris Duraku.

“Po, shumë janë tu më munguar shokë, shoqet, por edhe mësimet, në këtë grevë.. edhe grevat shumë i kam dashur, por m’u kanë bërë bajat tash”, tha nxënësi Pars Kica.

Të dy nxënësit ishin të shoqëruar nga gjyshërit e tyre. Ata thanë se Qeveria dhe sindikalistët duhet të gjejnë zgjidhje sa më shpejt.

“Unë e fajësoj drejtpërdrejt pse Qeveria e Kosovës nuk merr masa, nuk është qaq problem i madh që 1 muaj është dashtë me u zgjidh ky problem”, tha familjari Hilmi Duraku.

“U isha lutur të gjithë punëtorëve të arsimit, nuk është me rëndësi sindikata, por punëtorëve të arsimit, të gjithë, duke u nisur nga mësuesit e deri te profesorët që t’ja vnojn pikë kësaj pune”, tha Remzi Kica, familjar.

Përfaqësues të prindërve kanë bërë thirrje që menjëherë shkollat t’i hapin dyert për nxënësit.

“Kemi humbur shumë, kemi humbur 26 ditë, edhe t’i humbin 26 orë është tepër, e lëre më 26 ditë. Kemi humbur që tre vjet, prej kohës së pandemisë, kjo është e tepërt. Dëshirojmë që menjëherë, urgjentisht, të fillojë procesi mësimor”, that Fatbardha Sheholli, nga Këshilli i Prindërve i shkollës.

Mësimdhënësit që ndodheshin në grevë e lëshuan objektin shkollor derisa protesta mbahej. Ata nuk dhanë sinjale se do ta dëgjojnë zërin e nxënësve.

E, disa kolegë të tyre kanë ndërprerë grevën në nivel vendi.

Fillimin e procesit mësimor e ka paralajmëruar edhe shkolla “Hasan Prishtina” në kryeqytet.

Në një njoftim të saj thuhet se nga e marta do të ndryshojë forma e presionit sindikal. Mësimin do ta fillojnë me orar të reduktuar të orëve në 30 minuta.

“Në takimin e sotëm të Këshillit të Arsimtarëve dhe të Këshillit Grevist të Sindikatës së shkollës, pas diskutimeve, u vendos që të përkrahet greva deri në realizimin e kërkesave, por edhe në anën tjetër nga nesër (e martë), të fillojë procesi mësimor me orar të reduktuar të orëve mësimore në 30 minuta”, thuhet në njoftimin e shkollës fillore “Hasan Prishtina”.

Mësimdhënësit kanë hyrë në grevë që nga 25 gushti. Ata kërkojnë 100 euro shtesë mbi pagë, deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit për pagat.