LAJMET E MBRËMJES

Dështon rezoluta e PDK-së për grevat

Rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës për ndalje të grevës nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Në seancën e sotme deputetët kanë shqyrtuar edhe nismën ligjore të AAK-së për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili ka nxitur debat mes pushtetit e opozitës.

Rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës për ndaljen e grevave nuk ka arritur të kalojë në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës.

Ajo mori mbështetjen e partive opozitare, por jo edhe të pushtetit, 39 deputetë të të cilit votuan kundër.

Në këtë seancë debat ka nxitur edhe nisma ligjore e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale, të financuara nga shteti.

“Kërkojmë largimin e këtij neni diskriminues të këtij ligji, i cili parasheh që secili kandidat që shkon pension kontribut dhënës duhet t’i ketë së paku 15 vjet para 1 janarit të vitit 1999. Me propozimin që kemi iniciuar parashihet që pensionet kontributdhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet para 1 janari të vitit 1999”, ka thënë deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

Por, në Lëvizjen Vetëvendosje nuk i dhanë mbështetje, meqë thanë se këtë ndryshim të kërkuar nga AAK-ja do ta bëjnë nëpërmjet reformës së skemës pensionale.

“Kjo patjetër që duhet të zgjidhet, por ashtu siç duhet nga qeveria aktuale e cila tashmë është duke bërë reformën pensionale. Kjo është arsye që ne nuk e përkrahim vetëm në këtë formë që është paraqitur dhe konsiderojmë si jo të sinqertë”, ka thënë deputetja e VV-së, Fatmire Kollçaku.

Ky ndryshim i ligjit u përkrah edhe nga dy partitë në opozitë PDK e LDK, të cilat i kërkuan pushtetit të reflektojë.

“Duke u rritur dhe ndërtuar shteti ynë, duke pasur edhe financa stabile është menduar edhe për pensionistët kontributpagues. Sot është një momentum ku këtë pabarazi mundemi me ndryshuar”, u shpreh Bekim Haxhiu i PDK-së.

“Të punësuarit e viteve të ’90-ta që janë larguar dhunshëm ose që nuk janë bërë pjesë e masave të dhunshme nuk mund të gëzojnë një të drejtë e cila po iu mohohet në mënyrë jo demokratike në shtetin e tyre për të cilin ata kanë punuar”, ka shtuar deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Kjo çështje nxiti debat mes deputetes së LDK-së, Hykmete Bajramit e shefes së deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, kur kjo e fundit i pyeti partitë opozitare që kanë qenë në pushtet deri më tash se pse nuk i kanë bërë këto ndryshime.

“U theksua këtu disa herë që po shpërblehen ata që kanë punuar me sistemin apo me regjimin okupues serb, ndërsa sanksionohen ata të tjerët. Po bre, por deri sot ka ndodhë e njëjta. Kthehuni në referencë gjithmonë ku kanë qenë subjektet e juaja nëse e kanë pasur si prioritet”, pyeti Kusari-Lila.

“Je person i gabuar me fol për qeverisjen 20-vjeçare se ke qenë pjesë e të gjitha partive politike”, iu përgjigj Bajrami.

Për shkak të mungesës së kuorumit kjo pikë nuk arriti të dilte në votim.

Për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve opozitarë në votim, në këtë seancë nuk ka arritur të kalojë as projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.