LAJMET E MBRËMJES

Plani për atentat ndaj Kurtit

Sulmet kibernetike në Shqipëri kanë nxjerrë në pah edhe dyshimet për një plan për atentat ndaj kryeministrit Albin Kurti në vitin 2021.

Televizioni “A2Neës” me bazë në Tiranë e ka dhënë i pari lajmin, duke iu referuar një dokumenti të publikuar nga hakerët iranianë që sulmuan ueb-faqet e institucioneve të Shqipërisë në korrik dhe shtator të këtij viti, e i cili thonë se është vjedhur nga ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së këtij shteti, Gledis Nano.

Dokumenti, të cilin e ka siguruar edhe KOHA, identifikon një shtetas të Shqipërisë, me inicialet P.K., si të dyshuar për planifikim të atentatit ndaj kryeministrit Kurti e edhe deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, e ish-pjesëtarit të SHIK-ut, Ismet Haxha.

“Ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve dhe pushkëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Me shumë gjasë, ai jeton në Shkodër të Shqipërisë dhe operon në tri lokacione: Tropojë të Shqipërisë dhe Ferizaj e Deçan të Kosovës”, thuhet në dokument.

KOHA nuk ka mundur ta vërtetojë autenticitetin e dokumentit. I kontaktuar nga KOHA, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Fehmi Hoti, ka sugjeruar që informacionet të kërkohen nga zëdhënësi Baki Kelani, por ky nuk u është përgjigjur telefonatave.

E, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se kryeministri Kurti ishte vënë në dijeni nga Agjencia për Inteligjencë e Kosovës për informacionin e siguruar mbi planifikimin e atentatit kundër tij.

“Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi. Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Në Qeveri nuk kanë dhënë hollësi të tjera.

Edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka konfirmuar për KOHËN se në pranverën e këtij viti është njoftuar nga Policia në lidhje me cenimin e jetës së tij. Ai ka thënë se nuk mund të japë më shumë detaje.

Sipas dokumentit, vrasja e të tria autoriteteve ishte planifikuar me qëllim të “destabilizimit të Kosovës”.