Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë filluar ndryshe sesionin vjeshtor. Në hyrje të ndërtesës ata u pritën me lule dhe një broshurë nga pensionistët. U kërkohej që ta largojnë kushtëzimin për t’u lajmëruar në zyrat përkatëse çdo gjashtë muaj, për të dëshmuar që janë gjallë, por edhe subvencionimin me nga 100 euro deri në rritje të pensioneve.
Aksioni u realizua në kuadër të fushatës “Dinjitetet për pensionistët” dhe pati mbështetje edhe të deputetëve, kryesisht opozitarë.
“Vetë aksioni simbolizon kërkesën e parë që ne jemi gjallë, nuk kemi vdekur, por që është absurdi më i madh. Ne i kemi dërguar shkresa tri herë ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe nuk na janë përgjigjur dhe nuk na kanë pranuar, ku në mënyrë taksative i kemi kërkuar të drejtat tona, absolutisht nuk kërkojmë asgjë tjetër përpos të respektohet Ligji aktual për skema pensionale”, u shpreh Nijazi Gashi, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës.
Në Kosovë janë mbi 200 mijë pensionistë të moshës, prej të cilëve 50 mijë janë kontributpagues.
Pensioni bazik i moshës është 100 euro, ndërsa pensioni kontributpagues fillon nga 182 deri në 265 euro. Krahas kësaj, në Kosovë janë edhe 13 skema të tjera sociale.
Nga buxheti i shtetit gjatë vitit shpenzohen mesatarisht 530 milionë euro në vit.
Edhe pensionisti Avdullah Sopi ka kërkuar që pensioni të mos jetë nën 350 euro.
“Tash po lypim të rriten pensionet. 65 euro e kam pasur kur kam hyrë në pension. Qe dy vjet m’u ka bërë 195 euro. Po lypi pensionin me ma rrit, me ma bo 350 euro, qashtu më vyen, nuk me vyejnë as 250 euro, as 280, por 350”, tha Sopi.
Sipas iniciuesit të fushatës, Xhevdet Pozhari, deputetët e kanë kuptuar mesazhin e këtij aksioni.
“Të gjithë kemi prindër, të gjithë kemi gjyshër, dhe kryeministri dhe presidentja, kanë në shtëpi prindër, të cilët kanë nevojë për dinjitet. Siç angazhohen për prindërit e tyre, duhet të kujdesën edhe për prindërit e të tjerëve”, pohoi Pozhari.
Me këto kërkesa bashkëndien edhe deputetët opozitarë. Në seancën plenare të enjten kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar që pagat, pensionet dhe ndihmat sociale të rriten aq sa është rritur inflacioni.
Fushata “Dinjitet për pensionistët” do të vazhdojë në rrjetet sociale, ndërkohë që është paralajmëruar se do të ketë edhe aksione të tjera.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.