Pakoja e Qeverisë në përballje me inflacionin është kritikuar edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa, ka thënë se pakoja është “joefektive, diskriminuese dhe pako e paraqitur në panik e sipër për të ulur pakënaqësitë”. Një ditë më parë kjo pako është kritikuar edhe nga dy partitë e tjera opozitare: PDK dhe AAK
Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë Kurti për injorim të sektorit privat me pakon në përballje me inflacionin, në vlerë prej 150 milionë eurosh. Sipas këtij subjekti politik, pakoja është diskriminuese dhe joefektive.
Në një konferencë për media, deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa, ka thënë se kjo qeveri nga sektori privat vetëm merr dhe nuk jep asgjë.
“Asnjë cent, po ashtu, nuk u dha për të papunët, pra ata që nuk kanë asnjë të hyrë Qeveria vendosi t’i injorojë tërësisht. Kjo pako qartësisht nuk ofron mbështetje për të gjithë qytetarët dhe është diskriminuese. Është diskriminuese, për shkak se shkakton pabarazi duke ua ndarë vlerën e njëjtë edhe atyre që kanë 300 euro rrogë, edhe atyre me 2 mijë euro rrogë, pra si roja, si drejtori ekzekutiv marrin po të njëjtën përkrahje nga kjo qeveri”, ka thënë Mustafa.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave për tregun e punës, mbi 350 mijë qytetarë janë të punësuar, rreth 85 mijë janë në sektorin publik, ndërsa pjesa tjetër në sektorin privat.
Pakoja e Qeverisë parasheh dyfishim të asistencës sociale për muajin shtator dhe nga 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike. Për punëtorët e sektorit publik parasheh nga 50 euro nga muaji shtator.
Ndërsa për sektorin privat parasheh vetëm subvencionim prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për 3 muajt e parë.
Në LDK i kanë bërë thirrje Qeverisë që ta trajtojë krizën me seriozitet dhe të ndërmarrë masa konkrete.
“Shumica e masave janë të vonshme, nuk janë të menduara mirë dhe do të kenë pak ose fare efekt, njëjtë sikurse masat e kaluara të kësaj qeverie. Për LDK-në, ky është veprim në panik i kësaj qeverie për të ulur pakënaqësitë në rritje, për të blerë paqe sociale në vend se të jetë një plan i menduar mirë për të zgjidhur këtë krizë”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se Qeveria po tenton të propozojë një ligj për çështjen e investimeve kapitale, porse kjo masë “është shumë e vonuar, pasi që nuk kanë mbetur as tre muaj të plotë deri në përmbyllje të vitit”.
“Asnjë investim kapital serioz nuk mund të fillojë e mbarojë për tre muaj. LDK-ja ka propozuar këtë zgjidhje një vit më parë, atëherë kur do të kishte ndikim. Tani është shumë vonë dhe derisa të propozohet dhe miratohet në Kuvend, nuk do të këtë asnjë efekt”, ka thënë ai.
Ka përmendur faktin se për gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë realizuar vetëm 9 për qind të investimeve kapitale nga niveli qendror, që është niveli më i ulët për një dekadë.
“Këto projekte kapitale do të injektonin qindra miliona euro në ekonomi, do të mbanin dhjetëra mijëra vende të punës të hapura dhe do të krijonin asete që gjenerojnë të hyra ekonomike për gjithë shoqërinë kosovare për vite e dekada me radhë”, ka thënë Mustafa.
Kritika pati edhe për masat e ndërmarra më herët nga Qeveria, duke thënë se ato janë bërë pa ndonjë analizë. Sipas tij, janë shpenzuar 100 milionë euro dhe nuk është bërë asnjë analizë për të parë ndikimin e kësaj mase.
“Qeveria është duke përsëritur gabimin dhe për shkak se kjo pako është sjellë në panik, do të kemi prapë masa joefektive dhe miliona të shpenzuar kot. Qeveria nuk mori parasysh as propozimet e LDK-së për zbutjen e ndikimit tё inflacionit; si reduktimi i akcizës dhe i TVSh-së në derivate të cilat do të ishin shumë më efektive se masat e ndërmarra”, ka thënë ai.
Një ditë më parë kjo pako është kritikuar edhe nga dy partitë e tjera opozitare PDK dhe AAK. Ato i kanë quajtur lëmoshë mjetet e parapara nga Qeveria.
Pakoja e re nuk parasheh masa për të papunët. Aktualisht në Kosovë figurojnë mbi 120 mijë të papunë, por janë edhe 750 mijë qytetarë që nuk janë të punësuar, e as nuk figurojnë si punëkërkues.
Shkalla e inflacionit në Kosovë, sipas Bankës Botërore, ka arritur në nivelin e 19.2 për qind. Rritja e çmimeve ka rënduar koston e jetesës së qytetarëve.