Reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë nga e enjtja do të ndalen, ka njoftuar KEDS-i pas kthimit në funksion të dy blloqeve të termocentraleve të KEK-ut.
Korporata Energjetike e Kosovës nëpërmjet një njoftimi bëri të ditur se të enjten pas përfundimit të remontit të njësisë B-2 dhe sanimit të defekteve në njësinë A-3 prodhimi i energjisë elektrike është shtuar për rreth 400 megavate për orë.
“Korporata Energjetike e Kosovës ju siguron që do të vazhdojë me përkushtim t’i përfundojë edhe remontet e rregullta në njësitë e tjera konform planit në mënyrë që deri në fillim të sezonit dimëror të operojë me dy njësi të TC-A dhe dy njësi të TC-B me kapacitet prej rreth 800 MW/h”, thuhet në njoftim të KEK-ut.
Menjëherë pas njoftimit të KEK-ut, KEDS-i ka bërë të ditur se me kapacitetet aktuale të prodhimit nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike.
“Njoftojmë konsumatorët se janë ndalur kufizimet e energjisë elektrike me hyrjen në prodhim të blloqeve B2 dhe A3, pasi që gjendja është stabilizuar për momentin. Pavarësisht kësaj, kursimi është i domosdoshëm”, ka thënë KEDS-i.
E, sipas Ministrisë së Ekonomisë, kthimi në prodhim i dy blloqeve të termocentraleve të KEK-ut e ka dyfishuar prodhimin e energjisë elektrike.
“Aktualisht KEK-u ka në funksion të prodhimit katër blloqe: A3, A4, B1 dhe B2, të cilat në total prodhojnë afro 800 MWh. Ministria e Ekonomisë është duke monitoruar situatën e remontit dhe sanimit të blloqeve të ‘Kosovës A’ dhe ‘Kosovës B’ nga ana e KEK-ut, për t’u siguruar që këto blloqe do të përmirësojnë sigurinë e furnizimit gjatë dimrit”, ka njoftuar ME-ja.
Gjatë ditës kryeministri Albin Kurti ka arsyetuar reduktimet e energjisë me të cilat është përballur Kosova prej ditësh.
“Riparimet e nevojshme, prishjet e paparashikueshme po e zvogëlojnë gjenerimin, po na e rrisin importin dhe kësisoj po na i shtojnë reduktimet, meqenëse ka shkuar edhe në një mijë euro në bursën energjetike ndërkombëtare një megavat orë”, u shpreh Kurti.
Aktualisht në bursat ndërkombëtare një megavat orë energji elektrike është duke kushtuar nga 750 euro deri në një mijë euro. Në organizatën INDEP kanë bërë të ditur se ka projeksione që gjatë dimrit që po vjen një megavat të kushtojë deri në 1.300 euro.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.