Historia e fabrikës së prodhimit të veglave të punës, e shpërfaqur në dokumentarin “Factory to the workers”, nën regji të kroatit Sërgjan Kovaçeviq, ka triumfuar në “DokuFest”. Ka fituar çmimin kryesor e atë për dokumentarin më të mirë në kategorinë “Balkan Dox”. Ishin 109 filma nga 58 shtete që u shfaqën në 8 kategori garuese. E të shtunën mbrëma në “Kino Lumbardhi” janë ndarë çmimet e edicionit të 21-të.
Dokumentari i regjisorit kroat, Sërgjan Kovaçeviq, ku del në pah vullneti i punëtorëve për ta mbajtur gjallë një fabrikë të socializmit, ka fituar çmimin kryesor në “DokuFest”.
Ai ka triumfuar edhe në kategorinë “Balkan Dox”.
Rrëfimi që shpaloset bashkë me krejt atë që del në sipërfaqe i shkon fort edhe temës së sivjetme të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër “DokuFest”, “How to survive?”.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të shtunën mbrëma në “Kino Lumbardh” regjisori Kovaçeviq ka thënë se ky çmim është shumë i rëndësishëm për të.
Në ambientin e jashtëm të kinemasë më të veçantë jo veç në vend, ka nisur edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve.
Por mysafirëve u është dashur të futeshin brenda, shkaku i reshjeve të shiut.
Festivali që tashmë është shndërruar në promotor të jashtëzakonshëm të kinematografisë në Kosovë, ka zgjedhur që sivjet t’i shpërblejë rrëfimet e mbijetesës si tema bosht.
Çmimi i distribuimit i është ndarë filmit “Shpija”, ai i publikut ka shkuar për “Love, Deutschmarks & Death”, Çmimi i kategorisë kombëtare është ndarë për “Ka me kalu”, nën regji të Flonja Kodhelit.
Filmi më i mirë i shkurtër ndërkombëtar është vlerësuar “Will my parents come to see me”.
Në kategorinë “Green Dox” ka fituar “Foragers”, në “Human Rights Dox” ka triumfuar “Myanmar Diaries”, e te “Truth Dox” juria ka vlerësuar dokumentarin “The killing of a journalist”.
Për dokumentar të shkurtër Çmimi i është ndarë projektit “Haulout”.
Drejtori ekzekutiv i “DokuFestit” Eroll Bilibani edicionin e sivjetmë e ka përshrkuar si magjik.
Tema “How to survive?” sivjet nuk ka qenë vetëm pyetje-temë për mbijetesën ndaj kushteve klimatike, luftës, dhunës, fashizmit e për ekzistencë. Ka qenë edhe pyetje për mbijetesën e Festivalit përballë përkrahjes nga institucionet.