LAJMET E MBRËMJES

Gërvalla: Takimi i krerëve me Blinkenin, hap tutje i forcimit të marrëdhënieve me SHBA-në

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, takohen sot me sekretarin amerikan Antony Blinken. Takimi do të nisë në orën 22 e 30 sipas orës lokale të Kosovës. Për pritshmëritë nga ky takim, e synimet e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës e Bashkimin Evropian, ka folur ministrja e punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla.

Në të mirë të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është duke u konsideruar takimi i krerëve të shtetit me sekretarin amerikan Antony Blinken.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se presin që me Blinkenin presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, të kenë një takim të mirë.

“Kjo nuk është thyerje akulli, por është një hap më tej në forcimin e marrëdhënieve tona të cilat ambasadori amerikan në dhjetor të vitit të kaluar i ka përshkruar si marrëdhëniet më të mira që Kosova ka pasur ndonjë herë me SHBA-të është një takim i mirë, është një takim me të cilin lidhim pritje të caktuara, por në të njëjtën kohë është një takim në rrethana të natyrshme mes dy shteteve mike”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla në një konferencë për media, ka thënë se Kosova plotëson të gjitha parakushtet për të aplikuar për statusin e vendit kandidat për në BE.

Krerët e institucioneve ka kohë që paralajmërojnë se aplikimin do ta dorëzojnë deri në fund të këtij viti.

“Ne mendojmë që Kosova në ndërkohë i plotëson të gjitha parakushtet për një kandidaturë të tillë, për një aplikim të tillë dhe prandaj ne deri në fund të vitit do të zgjedhim momentin e përshtatshëm kur do ta dërgojmë edhe formalisht këtë aplikim, çështja është kjo, kur është momenti për aplikime të tilla e kur nuk është momenti”, ka deklaruar ajo.

Shefja e diplomacisë kosovare, është shprehur optimiste për rrugën që ka nisur Kosova drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Ajo ka thënë që gjatë vjeshtës presin që procesi të kalojë në duar të Asamblesë Parlamentare të Këshillit.

“Përvoja deri tani është shumë e mirë po shpresojmë që pas vjeshtës të mund të bëjmë hapin tjetër të ardhshëm formalisht, por një duhet të jetë të qartë që jemi të përgatitur për këtë proces kemi përkrahje politike shumë të gjerë dhe mendojmë që ky proces do të finalizohet me sukses”, është shprehur Gërvalla.

Ministrja Gërvalla ka folur edhe për mungesën e njohjeve të reja, derisa ka thënë se si ministri janë duke punuar në atë drejtim. Por, sipas Gërvallës më me rëndësi se njohjet e reja është forcimi i marrëdhënieve me shtetet që aktualisht njohin pavarësinë e Kosovës.

Këto komente, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i bëri në një konferencë për media. Aty Gërvalla se bashku me zëvendësen e saj, Liza Gashi, prezantuan dy projekte për diasporën.