LAJMET E MBRËMJES

Ministria cakton çmimet tavan për derivate çdo 24 orë

Çmimet e derivateve kanë pasur një ndryshim të lehtë në fillim të javës. Për dallim nga herët e tjera kur çmimi vendosej nga tregtarët, këtë të hënë kjo u bë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Bazuar në Udhëzimin Administrativ që rregullon çmimin e derivateve, i cili ka hyrë në fuqi dy ditë më parë, Ministria çdo 24 orë do të përcaktojë çmimet maksimale të dizelit, benzinës dhe gazit.

Çmimi tavan i një litre naftë të hënën ishte 1 euro e 85 centë apo vetëm 5 centë më lirë sesa ishte në fillim të së njëjtës ditë. Çmimi për një litër benzinë është përcaktuar për 1.74 euro dhe për gaz, 0.78 centë.

Edhe pse vendimi hynte në fuqi nga ora 10:00, ai ka filluar të zbatohet në mesditë. Për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit në terren ishin inspektorët e MINT-it.

Kryeinspektorja Lebibe Haliti ka thënë se çmimet mund të ndryshojnë çdo ditë.

“Të dhënat e Doganës do t’i marrim çdo ditë në ora 18:00 dhe Ministria i bën kalkulimet dhe nxirret çmimi mesatar, plus 12 centë për fitim. Çmimi për nesër caktohet nga kalkulimi i ri, varësisht nga çmimi i furnizimit”, tha Haliti.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se do të respektojnë vendimin e Qeverisë, por, sipas tij, ka gabime në kalkulim të çmimeve.

“Vendimi i Qeverisë duhet të respektohet dhe është duke u respektuar, por vendimi ka gabime në kalkulim të çmimeve. Shpresojmë që në ditët në vijim gabimet do të përmirësohen”, tha Berjani.

Ekonomisti Edison Jakurti ka thënë se vendosja e çmimeve tavan është politikë e duhur, por se nuk duhet të ketë afate.


“Politika më efektive afatshkurtër për zvogëlimin e ndikimit të inflacionit, nëse zbatohet si duhet, është kjo: vendosja e çmimeve tavan. Ama, ajo që nuk duhet bërë është vendosja e afateve. Çmimet tavan duhet të jenë si politikë e përkohshme, por pa afat të caktuar në formë eksplicite, për shkak se me caktimin e afatit, lehtësisht mund të ndodhin manipulime me furnizim”, tha Jakurti.

Sipas Udhëzimit të ri Administrativ, çmimi për marzhën tregtare maksimal për një litër të produktit të naftës së shitur me shumicë është 2 centë, ndërsa me pakicë është 12 centë.

Vendimi u mor pas konstatimeve të Qeverisë për mospërputhje të çmimeve në krahasim me lëvizjet në tregjet botërore.

Lidhja Demokratike e Kosovës, parti opozitare, dhe naftëtarët, kanë kërkuar javë më parë që të ulet akciza për naftën, si dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), ashtu që të mundësohet ulja e çmimeve. Megjithatë, Qeveria nuk ka pranuar diçka të tillë.