LAJMET E MBRËMJES

OVL e UÇK-së ultimatum Qeverisë - deri në mbajtjen e seancës ta përmirësojë gabimin

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar sërish protestë, në ditën kur në Kuvend do të sillet për lexim të dytë projektligji për pagën minimale. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL së UÇK-së, Faton Klinaku, në konferencë për media mbajtur të hënën, ka thënë se është koha që të përmirësohet gabimi i Qeverisë.

“Nëse deri në lexim të dytë nuk rregullohet ky problem dhe nëse diskriminimi vazhdon, pra diskriminimi ndaj veteranëve mbetet pjesë e ligjit për pagën minimale, atëherë ne sot paralajmërojmë protestë ditën që do të bëhet seanca e Kuvendit për shqyrtim-lexim të dytë të ligjit për pagën minimale”, ka thënë ai.

Klinaku ka theksuar se ashtu siç nuk e kanë pranuar okupimin, nuk e pranojnë diskriminimin dhe as politizimin e çështjes së veteranëve.

“Në takim me kryeministrin Kurti, nuk kemi gjetur gjuhë të përbashkët. Kurti vazhdon të insistojë në qëndrimet e tij diskriminuese me tendencë politizuese ndaj çështjes së veteranëve dhe nuk plotëson kërkesën tonë që është minimale – “jo diskriminim veteranëve me ligjin për pagën minimale”, ka shtuar ai.

Veteranët kanë protestuar javën e shkuar për shkak se nuk janë përfshirë në projektligjin për pagën minimale. Ndërsa të premten, ishte mbajtur një takim mes kryeministrit dhe përfaqësuesve të këtyre organizatave, e i cili ka përfunduar pa marrëveshje. Një ditë pas takimit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se veteranët meritojnë më shumë sesa paga minimale, por se kjo çështje, sipas tij, do të zgjidhet vetëm pasi të bëhet verifikimi i listave për të cilat ka dyshime të forta se janë të fryra.

Qeveria ka premtuar se do të propozojë amendamente lidhur me veteranët gjatë shqyrtimit të projektligjit.