LAJMET E MBRËMJES

Për shtatë orë rresht opozita pengoi seancën e Kuvendit

Seanca maratonike e së premtes ka nisur e ka përfunduar pa shqyrtimin as edhe të një pike të rendit të ditës.

Zhvillimin e saj e pamundësoi bllokada që bëri opozita, e cila, për shkak të protestës së veteranëve që po zhvillohej jashtë Kuvendit, kërkonte ndërprerjen e seancës.

Veteranët po protestonin kundër projektligjit që rrit pagën minimale, rritje në të cilën nuk janë përfshirë pensionet e tyre.

Me të nisur seanca, shefi i deputetëve të PDK-së shkëputi mikrofonin e foltores.

Aty u mblodhën deputetët e opozitës dhe qëndruan për një kohë duke mos lënë të mbaheshin fjalime.

Kjo situatë zgjati për një kohë, derisa jashtë sallës së mbledhjeve plenare kryeparlamentari Glauk Konjufca, ftoi shefat e deputetëve që për një orë të arrijnë një konsensus.

Deputetët u kthyen në sallë, por dakordimi nuk ishte arritur.

Në këtë pjesë të seancës u zhvillua një debat ku PDK-ja e AAK-ja shpalosën kërkesat e tyre që i kishin në mbledhje me Konjufcën.

Për kryeministrin ishte e papranueshme të ndërpritej seanca, por ai dha një propozim.

Kjo nuk ishte e pranueshme për opozitën, e cila me ngulm kërkonte mosvazhdimin e seancës dhe takimin e Kurtit me pjesëtarët e OVL-së.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se veteranët duhet të marrin pagë më të lartë se minimalja, porse kjo do të bëhet atëherë kur të kategorizohen listat.

Kryeministri pati edhe një diskutim të ashpër me deputetin e AAK-së, Bekë Berisha, i cili disa votues të tij i quajti nostalgjikë të Jugosllavisë.

Pas kësaj polemike, sërish mikrofoni iu ndal një deputeti të Vetëvendosjes dhe seanca sërish u bllokua.

Konjufca e shefat e grupeve parlamentare e shfrytëzuan edhe një pauzë tjetër mbi njëorëshe për t’u dakorduar, por prapë në seancë u kthyen pa u marrë vesh.

Me bllokadë vazhduan mbi një orë tjetër dhe në fund kryeparlamentari vendosi t’i jepte fund seancës.

Në këtë seancë që u pengua, mes të tjerash, do të shqyrtohej edhe Projektligji për tërheqjen e një pjese tjetër nga Fondi i Kursimeve Pensionale, kërkesë kjo e partive opozitare.