LAJMET E MBRËMJES

23 vjet padrejtësi për masakrat e Poklekut dhe të Çikatovës

Lumnije Muqolli është një ndër 6 personat që i mbijetoi masakrës së 23 vjetëve më parë në fshatin Poklek, Komuna e Drenasit, ku mbetën të vrarë e të masakruar mbi 54 anëtarë të familjeve Muqolli dhe Elshani.

Muqolli teksa përkujton tmerrin e asaj dite, thotë se ushtria serbe duke kryer vrasjet, është munduar me çdo kusht që ta zhdukë çdo gjurmë shqiptare në Poklek.

“Sot është dita e përvjetorit tonë. Kjo ditë mua sot më kujton para 23 vjetësh çfarë ka ndodhur në familjen tonë. Unë jam Lumnije Muqolli, e mbijetuara e masakrës ku janë vrarë dhe janë djegur 53 civilë, prej aty kemi shpëtuar 6 dëshmitarë. Mes tyre edhe vajza ime Nita, 4-vjeçare”, tha Muqolli.

Të dielën u shënua 23-vjetori edhe i masakrës në fshatin tjetër të Drenasit, Çikatovë.

E drejtësi për martirët e këtyre masakrave kanë kërkuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Natyrisht që është detyrim i gjithsecilit prej nesh që të vërtetën e Poklekut ta themi kudo, jo vetëm këtu në Kosovë por në çdo vend të botës, në mënyrë që bota e mbarë të dëgjojë për vuajtjet e popullit shqiptar, por mbi të gjitha, ta shohë edhe vetë dëshminë e qartë që kishte regjimi i Millosheviqit për të zhdukur popullin shqiptar nga Kosova. Kujtimi për ta do të jetë i përhershëm, ndërkaq ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi”, ka thënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Bashkë me të për homazhe në këto dy fshatra ishte edhe Konjufca.

“Kjo është një plagë që ende është e hapur, ende kullon, meqenëse jo vetëm që është pikëllimi shumë i madh për të gjithë më të dashurit që i kemi humbur, por të mos harrojmë që për këtë masakër nuk ka pasur drejtësi. Asnjë gjykim serioz nuk ka ndodhur deri tash për këta fëmijë e këto gra e këta burra që u masakruan prej forcave ushtarake e policore dhe paramilitare të Serbisë. Përgjegjësia është shumë e qartë, shteti i Serbisë ka ardhur këtu me forcat e veta dhe ka hyrë nëpër shtëpitë e banorëve të Kosovës, duke i masakruar ata, por deri tash kriminelët enden të lirë në shtetin serb”, shtoi ai.

Kryekuvendari ka deklaruar se asnjëherë nuk do të ndalen së kërkuari të drejtat e të gjithë atyre që përjetuan gjenocidin.

Në masakrën e Poklekut dhe atë të Çikatovës ushtria serbe ka vrarë, masakruar dhe i ka djegur trupat e mbi 75 shqiptarëve civilë të paarmatosur. Edhe tash pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit nuk është ndëshkuar nga drejtësia.

Këto masakra të dielën i ka kujtuar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.