Afër një veture të policisë së Kosovës, që ndodhej përskaj një rruge të mbyllur të kontrabandës në veri, afër Jarinjes, të shtunën janë hedhur mjete piroteknike. Janë pesë sulme për katër ditë që kur nisën sulmet ndaj policisë këtë javë. Është hera e parë që veturat sulmohen në afërsi të Jarinjes dhe hera e dytë që policia dyshon për sulm nga territori i Serbisë
Një veturë e policisë së Kosovës dyshohet se u godit me mjete piroteknike mëngjesin e së shtunës. Sipas njoftimit të policisë, sulmi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit afër pikës kufitare në Jarinje. “Sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjes, kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike). Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë, e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë”, ka shkruar PK në njoftimin e saj.
Kthesa që çon në këtë fshat është rreth një kilometër larg pikës kufitare. Ky sulm, i pesti me radhë brenda katër ditësh, ka ndodhur afër një rruge të mbyllur prej policisë, me qëllim të ndaljes së kontrabandës. Po ashtu, është sulmi i dytë në këtë periudhë për të cilin policia vlerëson se ka ardhur nga territori i Serbisë.
Në fshatin Sharpej, ku u sulmua vetura, sipas zyrtarëve të policisë së Kosovës, patrullohet 24 orë. Rrugën tjetër policia e lë të hapur për qarkullimin e banorëve. Policia ka njoftuar se janë dëgjuar dy shpërthime dhe se për to kanë dyshime të bazuara se kanë ardhur nga territori i Serbisë. Xhami i veturës së policisë është dëmtuar, duke hapur një vrimë. Vetura e markës “Dacia”, që ka qenë cak i sulmit të së shtunës, nuk ishte e blinduar. Nëpër pika ku ka pohuar se është bllokuar kontrabanda, ka qëndruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, ka thënë se puna po vazhdon me kujdes të shtuar.
“Sot kam vizituar pikat kufitare, Jarinje e Bërnjak, Shaptej, vendi ku ka ndodhur sulmi i mbrëmshëm, si dhe në Izvor e Trebickë, ku policia jonë kufitare mbikëqyr bllokimin e rrugëve ku më herët është zhvilluar kontrabanda. Përkundër pesë sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policorë, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njëjtë e me vigjilencë të shtuar”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Më 13 prill, policia ishte sulmuar dy herë, fillimisht me iriqë metalikë, ku 46 sosh ishin vendosur në rrugën nacionale ndërmjet Zubin Potokut e fshatit Varagë. Më pas në mbrëmje u gjuajt me gurë në lokacione afër Bërnjakut në fshatin Davidovc. Një ditë më vonë, po ashtu në fshatin Bube pati sulm me armë zjarri, që, sipas policisë, dyshohen se erdhën nga territori i Serbisë.
Ndërsa, me armë kallashnikov dhe granatë dore, sipas policisë, dy vetura të policisë u sulmuan gjatë së premtes. Ndonëse nuk është raportuar për përdorim të armëve të zjarrit në sulmin e së shtunës, ai është i pari i ndërmarrë në afërsi të pikës kufitare Jarinje, në Komunën e Leposaviqit.
Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, të premten ka thënë se as qytetarët dhe as policët nuk duhet të frikësohen nga sulmet e tilla, duke shtuar se panik po përjetojnë grupet kriminale të kontrabandës, të cilëve u janë bllokuar përfitimet e paligjshme financiare.
Në veri të vendit gjatë ditës së shtunës janë parë edhe pjesëtarë të KFOR-it italianë e amerikanë dhe qarkullim i veturave të EULEX-it, derisa mbi Mitrovicën e Veriut, ekipi i KOHËS e ka vërejtur edhe vëzhgimin e situatës prej një helikopteri të KFOR-it. Deri më tani institucionet e sigurisë e të ndjekjes penale nuk kanë njoftuar për ndonjë të arrestuar lidhur me këto raste. Policia nuk ka treguar se për çfarë lloji piroteknikësh i dyshojnë mjetet shpërthyese të hedhura pranë veturës policore, për të cilën raportoi të shtunën.