LAJMET E MBRËMJES

Rizvanolli përballet me kritika për çështjen e energjisë

Subvencionimi i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë ka përplasur të martën opozitën me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit të saj në Komisionin Parlamentar për Ekonomi.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili është kryetar i komisionit, ka thënë se ekzekutivi po i jep miliona euro KEDS-it.

“Keni ardhur në pushtet duke i sharë KEDS-in, KEK-un dhe pozitën. Sot u bë kaq i mirë ky, që jo që nuk po e shani, por po e subvenciononi. Po i jepni dhjetëra milionë euro KEDS-it dhe KEK-ut. Pra, këtu po na del ajo dilema, anomalia logjike, juridike e njerëzore që keni ardhur në pushtet duke e sharë një kompani turke dhe sot po e subvenciononi”, ka theksuar Shala.

Ndërkaq ministrja Rizvanolli ka mohuar se kompania është subvencionuar.

“Secili milion, secili euro, secili cent që ka hyrë në sistem minusohet nga faturat e konsumatorëve dhe kemi të bëjmë me subvencionim të faturave të konsumatorëve, jo të ndërmarrjeve”, ka theksuar ajo, ndërsa ka folur edhe për problemet që Kosova ka me kapacitetet e energjisë.

“Ne i kemi kapacitetet me qymyr, të cilat nuk janë fleksibile, në kuptim që nuk mund të ulësh kapacitetin e prodhimit dukshëm dhe ta ngrehësh dukshëm, nuk mund ta ulësh dukshëm gjatë natës e ta ngrehësh dukshëm gjatë ditës, atëherë kur ke nevojë. Kjo do të thotë që gjatë ditës, në kohën kur moti është i mirë, ne ose e mbulojmë kërkesën tonë dhe në rastin më të mirë arrijmë të eksportojmë, në rastin më të keq importojmë, ndërsa gjatë natës ne shpesh kemi teprica”, ka bërë të ditur Rizvanolli.

Në komision të martën është diskutuar edhe për çështjen e furnizimit me energji elektrike të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit, porse me kërkesë të ministres, kjo pjesë e mbledhjes nuk ka qenë e hapur për mediat.