Kulturë

“Zogjtë e qyqes” si rrëfim i kolonizatorëve serbë, fitues i çmimit “Kadare”

E vlerësuar nga juria si qasje e veçantë me personazhe interesante e në ambiente të pazakonshme e ekzotike, “Zogjtë e qyqes”, me autor Gani Mehmetajn, ka marrë vlerësimin më të lartë nga anëtarët e jurisë së edicionit të pestë të çmimit që mban mbiemrin e shkrimtarit më me nam ndër shqiptarë, Ismail Kadare

Romani që vjen si rrëfim i një familjeje serbe ka dalë si më i vlerësuari në konkursin e sivjetmë për çmimin letrar “Kadare”. I vlerësuar nga juria si qasje e veçantë me personazhe interesantë e në ambiente të pazakonshme e ekzotike, “Zogjtë e qyqes”, me autor Gani Mehmetajn, ka marrë vlerësimin më të lartë nga anëtarët e jurisë së edicionit të pestë të çmimit që mban mbiemrin e shkrimtarit më me nam ndër shqiptarë, Ismail Kadare.

Juria e kryesuar nga shkrimtari Preç Zogaj kishte në përbërje të saj profesorin e filozofisë Blerim Latifi, shkrimtarët Loer Kume dhe Ermir Nika, si dhe studiuesen e letërsisë Genciana Abazi. Sipas asaj që ka bërë të ditur juria, midis 30 veprave të paraqitura, finalistë ishin Arbër Ahmetaj me romanin “Koha e thertores“, Ballsor Hoxha me përmbledhjen me tregime “Momenti, ndanë lëkurës”, Behar Jacaj me përmbledhjen me tregime “Rrëfimi i tredhjes”, Marçel Hila me përmbledhjen me tregime “Vëllazëri ujqërish”.

Romani për të cilin është ndarë çmimi është përshkruar si vepër ku paraqitet rrëfimi i tre breza kolonësh nga gjyshi te nipi, secili me ëndrrat dhe zhgënjimet e veta. “Romani ‘Zogjtë e qyqes’ është kujtesë dyzetvjeçare e një koloni serb. Dragani, protagonisti i kronikës, rrëfen në vetën e parë për gjyshin, ish-xhandar i Krajlit, babanë milic i Titos, ai inxhinier- vrojtues pasiv dhe kronist i ngjarjeve, dhe së fundi për të birin ushtarak, që kthehet shumë vjet më vonë”, është përshkrimi që i ka bërë juria.

Sipas pesëshes, dashuria në mes serbit e shqiptares - Draganit e Vjollcës - është nëntema tjetër, ashtu siç janë edhe martesat e përziera, në një mjedis të përzier. “Dëshpërimi i protagonistit të paanshëm nis kur sheh se janë mu si zogjtë e qyqes që i kanë hedhur në çerdhen e huaj, ndërsa ata s’dinë si të sillen”, përshkruhet vepra e Mehmetajt.

“Zogjtë e qyqes” është rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve.

“Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme, si edhe shpërfaqja e tyre dinamike. Romani ‘Zogjtë e qyqes’ trajton me vlera të spikatura letrare e artistike urrejtjen në mes të serbëve e shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, dashurinë e parealizuar që e intrigon lexuesin, ndërsa pasuron letrat shqipe”, shkruhet në arsyetimin e jurisë.

Autori i veprës, Gani Mehmetaj, është gazetar, publicist, shkrimtar, dramaturg dhe kineast. U lind në Pejë më 1955. Pos aktiviteteve të tjera, për një periudhë të gjatë deri në pensionim, vitin e kaluar, ishte drejtor i “Kosova Filmit”. Është autor i disa veprave letrare, përfshirë “Kujtime të trishta”, “Qyteti në ankth”, “Aventurat e Lulisë”, “Nata e fantazmave”, “Ilirianët”, ”Ëndrra e madhe”, “Zhvarrimi”, dhe "Boritë e Apokalipsit".

Çmimi “Kadare” është nismë e Institutit Pashko. Çmimi mban vlerën financiare 10 mijë euro, por aty përfshihen botimi, promovimi i veprës që shpallet fituese e organizimi i takimeve letrare. Vepra fituese botohet nga “UET Press”

Kryetari i jurisë, shkrimtari Preç Zogaj, ka thënë se veprat e konkursit të sivjetshëm pohojnë fort dhe bindshëm një numër përfaqësues shkrimtarësh shqiptarë përtej kufijve gjeografikë, të cilët gjakojnë letërsinë e mirë dhe premtojnë një nivel dinjitoz të letrave shqipe në hapësirën e përbotshme komunikuese të letërsisë”. Për shkak të kushteve të krijuara nga pandemia, ceremonia e dorëzimit të këtij çmimi është thënë se do të organizohet në një moment më të përshtatshëm, ku të jetë e mundur prania e autorëve finalistë.

Mehmetaj është shkrimtari i dytë nga Kosova që fiton këtë çmim. Më 2017, laureat ishte Musa Ramadani me veprën “Profeti nga Praga”.

© KOHA Ditore

Folegj: Juria e çmimit “Kadare” e kryesuar nga shkrimtari Preç Zogaj, kishte në përbërje të saj profesorin e filozofisë Blerim Latifi, shkrimtarët Loer Kume dhe Ermir Nika, si edhe studiuesen e letërsisë Genciana Abazi