Kulturë

Zhduket lista e projekteve kulturore që u përmirësua për 1.7 milionë euro

Goxha transparente është udhëheqja e tanishme e Ministrisë së Kulturës me lista projektesh fituese e të refuzuara. Por një transparencë si kjo ia ka nxjerrë edhe lojën me lista. Njëra prej tyre, pasditen e së enjtes kur lansoi listën e përfituesve të “Thirrjes për projekt-propozimet kulturore 2023”. Para dy javësh kriteret i kaluan vetëm 36 projekte, 313 u refuzuan. Tash prej të njëjtës listë, përfitues u bënë 106 projekte. Buxheti prej 808 mijë eurosh u bë 2.5 milionë, që i bie një diferencë në buxhet prej 1.7 milionë eurosh. Dallimet në shifra janë njëra anë e transparencës. Ana tjetër, zhdukja e listës. Nja një orë pas lansimit ajo u tërhoq dhe përgjigje për këtë ende nuk ka

Ministrisë së Kulturës i ka dalë punë me lista projektesh fituese të buxhetit në art e trashëgimi kulturore. Të enjten me të ka luajtur edhe “kukafshehtas”. Pasdite ka lansuar listën e “përmirësuar” e pas nja një ore ajo është avulluar. E ka tërhequr prej ueb-faqes e prej rrjeteve sociale.

Situata është kjo: më 16 qershor lansoi listën preliminare të organizatave joqeveritare përfituese nga thirrja publike “Art dhe trashëgimi kulturore”. Aty figuronin 36 projekte përkrahur me 808 mijë e 510 euro, tek goditi ngjarje e organizata bartëse të skenës kulturore në vend, si “DokuFesti”, “Artpolisi” e “Chopin Piano Fest” apo qendra “Multimedia”.

Shpërthyen akuzat, afati i ankesave qe pesë ditë, deri më 26 qershor, e Ministrisë së Kulturës nuk iu deshën më shumë se tri ditë pas përfundimit të ankesave që të dalë me listë të re.

Të enjten e lansoi listën e freskuar të titulluar “Përfituesit e thirrjes për projekt-propozimet kulturore 2023 – art dhe trashëgimi kulturore”. Prej 36 projekteve u bënë hiç më pak se 106. Shumica prej projekteve të refuzuara tash u futën në listë përfituesish edhe duke prirë me buxhet deri në 90 mijë euro. Shuma totale prej 800 mijë eurosh me “listë preliminare” me të dytën shkoi në mbi 2.5 milionë euro. Shpërthyen akuzat e radhës. Ministria në aksion, e hoqi listën. Deri të enjten vonë s’e ka rikthyer më. As nuk ka dhënë përgjigje për “zhdukjen” e saj.

Me listën “Përfituesit...”, janë edhe ngjarjet e njohura që me të parën ishin refuzuar me një fjali: “Nuk e kalon vlerësimin administrativ”. Tash aty figurojnë edhe “DokuFesti” me 90 mijë euro, organizata “Artpolis” përkrahur me 60 mijë euro, “Multimedia” me 80 mijë euro, teatri “Oda” me 62 mijë e 200 euro. Në “kategorinë e rëndë” përkrahur me 50 mijë euro plus janë edhe “7 Arte” me 70 mijë euro e refuzuar para dy javësh, sepse “s’e plotëson kriterin e veçantë, kategoria 1 pika 4 dhe 5” njësoj sikurse “HardhFesti”, tash i përkrahur me 50 mijë euro. Organizata “Ec Ma Ndryshe”, e refuzuar se “nuk e plotëson kriterin e veçantë kategoria 3, pika 3”, tash duket se e ka plotësuar atë tek ka marrë 62 mijë e 255 euro. “Chopin Piano Fest” në qershorin e sivjetmë erdhi me edicionin e 13-të u refuzua, sepse “nuk ka bashkangjitur dokumentacionin e nevojshëm sipas kritereve të përgjithshme dhe të veçanta”. Tash ka përfituar 30 mijë e 790 euro. Kori “Siparantum”, pa “dokumentet e nevojshme” me të parën, tash do të përkrahet me 66 mijë e 932 euro.

Në listën e projekteve të refuzuara në mesin e qershorit kanë qenë 313 sosh. Tok me ato që u përkrahën fillimisht, 36, i binte që përkrahje prej MKRS-së të kenë kërkuar 349 organizata joqeveritare. Tash lista e përfituesve gati është trefishuar dhe për këtë punë nuk janë dashur më shumë se tri ditë shqyrtime.

Komisioni vlerësues ishte përbërë nga Fatbardha Nasufi, kryesuese dhe anëtarët Milot Mustafa, Eronita Januzaj, Detjan Hulaj dhe Nafije Misini. Ai i ankesave ka pasur në përbërje kryesuesin Fidan Shatri, zyrtar për koordinim me Federata në Departamentin e Sportit në MKRS dhe anëtarët Ismet Haskaj, zyrtar për monitorim dhe vlerësim në Departamentin e Rinisë e Gresa Bytyqin, zyrtare administrative në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Milot Mustafa, udhëheqës i Divizionit për Trashëgimi të Luajtshme dhe shpirtërore ka qenë “anëtar rezervë”. Siç ua tregojnë pozitat, asnjëri prej atyre që figurojnë si anëtarë, nuk vijnë prej fushës së kulturës.

Dy burime të KOHËS kanë bërë të ditur se vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka takuar anëtarët e “Komisionit për shqyrtimin e ankesave të aplikantëve OJQ-ve të cilët nuk janë kualifikuar nga komisionet vlerësuese të thirrjeve publike”, të formuar me vendim me nr. Protokolli 3056/2023 i zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm, Feim Hoxha. E takoi një ditë pas shpalljes së listës preliminare me vetëm 36 projekte që i kaluan kriteret.

Lista e së enjtes ka heshtur edhe jo pak prej atyre që kur u refuzuan qenë të zëshëm. S’e kanë komentuar as zhdukjen e saj.

Festivalit të muraleve në Ferizaj, “MuralFest”, nuk i ka shkrepur as pas ankesës në adresë të MKRS-së pas refuzimit që iu bë që në fillim. Ka arritur ta shohë listën e përfituesve që u lansua e u tërhoq dhe ka reaguar publikisht. S’është pajtuar me arsyetimin e komisionit vlerësues s’e “nuk e kalon vlerësimin administrativ – nuk e ka bashkëngjitur formularin e aplikimit si dhe buxhetin” – “meqenëse si pasojë e problemeve teknike në platformën e MKRS, dokumentet nuk kanë arritur në duart e komisionit vlerësues”. Për këtë arsye kishte bërë ankesë drejtuar organeve të MKRS-së, ku sipas stafit të Festivalit “janë dorëzuar edhe dokumentet të cilat thuhet që kanë munguar”.

“’Mural Fest Kosova’ ka përmbyllur festivalin me sukses të lartë, ku ka pasur artistë të ftuar të nivelit më të lartë e të dëshmuar ndërkombëtarisht, dhe ne kemi llogaritur në ato mjete financiare, por që me shumë keqardhje sot morëm vesh që pas shpalljes së rezultateve finale, organizata jonë nuk është përkrahur nga MKRS-ja”, shkruhet në reagimin e gjatë ku shpaloset edhe ndikimi i kësaj ngjarjeje. Atë ia kanë njohur kaherë edhe mediat botërore.

“Sipas kërkesave dhe kritereve që dalin nga kjo thirrje, ‘Mural Fest Kosova i ka plotësuar ato, prandaj jemi shumë të zhgënjyer me njoftimin që për vitin 2023, organizata jonë nuk po përkrahet financiarisht nga MKRS. Konsiderojmë që ky vendim është i padrejtë, për të cilin do të dorëzohet edhe ankesë drejtuar institucionit përkatës! Mospërkrahja ndaj ‘Mural Fest Kosova’ si organizatë, është mospërkrahje ndaj mbi 140 të rinjve që janë të angazhuar në aktivitetet tona të edukimit, me qëllim të zhvillimit profesional”, shkruhet në reagimin e nënshkruar nga stafi i “Mural Fest Kosova”.

Edhe dramaturgu Jeton Neziraj, udhëheqës i “Multimedias” që pas ankesës i plotësoi kriteret, ka arritur ta kapë listën.

“Ajo çfarë më bëri përshtypje në atë blic-listën e rezultateve ishte mungesa në listë e Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Është thjesht e pakuptueshme dhe e pabesueshme, se si një festival teatri me kaq traditë të gjatë – me i vjetri në vend, mund të injorohet në ketë mënyrë?”, ka thënë Neziraj, duke iu referuar Festivalit i cili sivjet shënon edicionin e 54-të. Dramaturgu ka shprehur edhe një dilemë.

“Por ndoshta kanë menduar ta mbështesin përmes ‘derës se vogël’, siç bënë me ‘Flakën e Janarit’, duke e mbështetur përmes një ‘memorandumi’. E në atë rast, shpresoj që nuk do të jetë pengesë fakti se kryetari i Komunës së Ferizajt nuk vjen nga VV!”, ka thënë ai.

E hapur në mars, “Thirrja për projekt-propozimet kulturore 2023” nuk nxjerr telashe vetëm me vonesa kur disa prej ngjarjeve janë mbajtur tashmë. Është tradicionale që listat e projekteve fituese – individësh a organizatash joqeveritare – të shoqërohen me drama krahas vonesave të përhershme. Kësaj radhe edhe “kukafshehtas” me të, duke e lansuar e duke e tërhequr. Organizatat janë në pritje që ajo të rishfaqet. KOHA deri të enjten vonë ka pritur përgjigje se çfarë ndodhi me zhdukjen e saj.

Image
Lista e përfituesve të “Thirrjes për projekt-propozimet kulturore 2023” të cilën Ministria e Kulturës e lansoi të enjten pasdite dhe pas një ore e tërhoqi nga ueb-faqja dhe rrjetet sociale