Filmi i bazuar në ngjarje të vërtetë, rrëfimi i Fahrie Hotit që shpërfaq sfidat e grave në mungesë të burrave si pasojë e luftës së fundit në Kosovë, është në garë zyrtare në atë që konsiderohet festivali me më nam në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Sa jam e lumtur që projekti ynë është pjesë e Festivalit – sidomos për mua si regjisore dhe skenariste me projekt të parë të metrazhit të gjatë – po aq jam gëzuar që një temë për një grua të suksesshme nga Krusha e Madhe do të arrijë një audiencë shumë të gjerë”, ka thënë për KOHËN, regjisorja Blerta Basholli
Prishtinë, 15 dhjetor – Pandemia, pa dyshim ka ndryshuar traditat në industrinë e filmit. Por diçka që nuk ka ndryshuar është ëndrra dhe dëshira e regjisorëve për të qenë pjesë e Festivalit të Filmit në Sundance. Regjisorja Blerta Basholli e ka arritur këtë me filmin i saj debutues të metrazhit të gjatë.
“Zgjoi” është në konkurrencën zyrtare në “Sundance Film Festival”, njëri prej 27 festivaleve të kategorisë A nga mbarë bota, i cili lidhet edhe me emrin e aktorit të famshëm Robert Redford si themelues.
Festivali, i cili nisi në gusht të vitit 1978, këtë vit do të zgjasë vetëm shtatë ditë dhe pjesa më e madhe e publikut do ta përcjellë atë larg nga epiqendra e tij, Park City në Utah të SHBA-së. Festivali planifikohet që të mbahet kryesisht në formatin online, me disa kinema për vetura në regjionin e Los Angeles, që nënkupton se nuk do ta ketë atë shkëlqimin nëpër rrugët kryesore nga audienca e etur për të zbuluar filma të ri. Edicioni i sivjetmë do të mbahet nga 28 janari deri më 3 shkurt.
“Zgjoi” për të cilin Basholli ka shkruar edhe skenarin është në mesin e më shumë se 70 filmave të metrazhit të gjatë, që do të shfaqen në kuadër të Festivalit. Filmi i cili zgjat 1 orë e 23 minuta është i bazuar në ngjarje të vërtetë. Rolin kryesor, atë të Fahrijes e ka aktorja Yllka Gashi. Fahrie Hoti, burri i së cilës është në mesin e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, në mungesë të bashkëshortit, nis një biznes në prodhimin e ajvarit.
Regjisorja Blerta Basholli ka thënë për KOHËN se përzgjedhja e filmit të tyre është jashtëzakonisht e rëndësishme për ekipin, veçanërisht për temën të cilën e trajton.
“Sa jam e lumtur që projekti ynë është pjesë e Festivalit – sidomos për mua si regjisore dhe skenariste me projekt të parë të metrazhit të gjatë – po aq jam gëzuar që një temë për një grua të suksesshme nga Krusha e Madhe do të arrijë një audiencë shumë të gjerë”, ka thënë Basholli. Ka falënderuar Hotin, e cila ka ndarë tregimin e saj. Sipas regjisores, ajo është një inspirim i vërtetë për të si grua, dhe shpreson të jetë edhe për shumë gra e vajza të tjera.
“Natyrisht pas Fahrijes, falënderoj edhe të gjithë ekipin, që lirisht mund të them se ishim një kombinim perfekt dhe ka qenë kënaqësi të punosh me secilin, duke përfshirë aktorët, producentët dhe të gjitha departamentet e tjera të përfshira në të gjitha fazat e realizimit të filmit”, ka thënë ajo.
“Fahrija fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin për të gjetur paqe me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten”, është shkruar në sinopsisin e filmit.
Përveç aktores Yllka Gashi, në film luajnë edhe Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami.
Drejtor i fotografisë është Alexander Bloom, montazhi i filmit është bërë nga Enis Saraçi dhe Félix Sandri, ndërsa producentë janë Valon Bajgora, Agon Uka dhe Yll Uka.
Ky i fundit ka thënë se i gjithë ekipi ka punuar fort dhe përfshirja e filmit në këtë festival është rezultat i punës së bërë.
“Jam shumë i lumtur me këtë fillim të rrugëtimit të filmit tonë ‘Zgjoi’, nuk kemi kursyer asgjë gjatë këtyre 4-5 vjetëve vetëm që ta sjellim këtë ngjarje sa më mirë para publikut. E uroj gjithë ekipin i cili ka dhënë gjithçka nga vetja për të arritur deri këtu”, ka thënë ai për KOHËN.
Sipas përshkrimit në uebfaqen zyrtare të festivalit, pas shfaqjes së filmave do të ketë edhe diskutime online me filmbërësit. Shikuesit mund të lëshojnë filmin në çdo kohë brenda tri orëve që nga premiera. Të gjithë filmat do të rishfaqen në platformë dy ditë, pas premierës për një shfaqje të dytë të qasshme për 24 orë.
“Edhe nën këto rrethana të pamundura artistët megjithatë po gjejnë shtigje për të bërë vepra të guximshme e vitale në çfarëdo mënyre që munden", ka thënë producentja Tabitha Jackson, në vitin e saj të parë si drejtoreshë e Festivalit. Prandaj, sipas saj, “Sundance”, si një festival i zbulimeve, do të sjellë filma për publikun, në çfarëdo mënyre që mundet.
“Gjurmët e festivalit tonë kanë ndryshuar këtë vit, por, ne jemi të emocionuar që të sjellim një komunitet të jashtëzakonshëm së bashku në forma të reja për të përfshirë artistë të rinj dhe histori të reja – edhe nëse na janë bashkuar për herë të parë ose nëse kanë qenë bashkë me ne për dekada”, ka thënë drejtori ekzekutiv i institutit të “Sundance”, Keri Putnam. Ka shtuar se i gjithë ekipi kanë punuar fuqishëm për të realizuar një plan që mirëpret audiencën e re dhe përkap shpirtin e vërtetë të Festivalit.
Ndër vite në këtë festival kanë debutuar regjisorë, të cilët më pas rrëmbyen çmimet me prestigjioze të kinematografisë. Të tillë si regjisori Steven Soderberg me filmin “Sex, Lies, and Videotape” (1989), Richard Linklater me filmin “Slacker” (1991), Quentin Tarantino me filmin “Reservoir Dogs” (1992), Robert Rodriguez me filmin “El Mariachi” (1993), Edward Burns me filmin “The Brothers McMullen” (1995), Nicole Holofcener me filmin “Walking and Talking” (1996), Paul Greengrass me filmin “Bloody Sunday” (2002), Marc Weeb me filmin “(500) Days of Summer” (2009), Rian Johnson me filmin “Brick” (2015), Ryan Coogler me filmin “Fruitvale Station” (2013), Damien Chazelle me filmin “Whiplash” (2014) e të tjerë.
Vitin e kaluar në “Sundance” pati premierën “Exil” i regjisorit Visar Morina. Filmi ishte edhe në garë, në kategorinë “World Cinema Dramatic Competition”. Edicioni i sivjetmë shënon debutimin e regjisores Basholli.
Qendra Kinematografike e Kosovës e mbështeti filmin “Zgjoi” në konkursin e vitit 2015 për zhvillim skenari, e një vit më vonë në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë. Solli bashkëprodhimin e parë zyrtar në mes Kosovës dhe Zvicrës. Mori mbështetje nga Fondi Shtetëror (Federal office Culture OFC), “Cinéforom” nga kantoni i Géneves, si dhe nga Televizioni Nacional Zviceran, i cili është njëkohësisht edhe bashkëprodhues. Filmi ishte xhiruar gjatë qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar në Janjevë, Prizren dhe Prishtinë.