Prej sot “Kino Rinia” do të jetë funksionale. Së paku për pak ditë dhe atë artistikisht. Ngjallja e ndërtesës bëhet pas më shumë se gati dy dekadash përgjatë së cilave midis të tjerash shërbeu edhe si sallë gjyqi. Për tri ditë radhazi do të jetë skenë kulturore, përfshirë edhe me sekuenca filmash.
Por, projekti “Metamorphosis” nuk ka për qëllim që t’ia kthejë publikut ish-kinemanë më shik të kryeqytetit. Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” synon që nëpërmjet intervenimit “Zërat Paralelë” (Parallel Voices) siç është titulli i intervenimit në bazë të konceptit të artistit të ftuar, Maksut Vezgishi – Maksi, të rrëfejë për hapësirën e sidomos të ngrejë zërin për mosfunksionalitetin që ka.
Nëpërmjet një konference për media, të hënën është bërë e ditur se në edicionin e vet të katërt “Metamorphosis” është fokusuar në “Kino Rini”.
“Projekti ka për qëllim t’i vërë në pah artin dhe kulturën për të vënë në dialog rëndësinë e hapësirave. Këtë vit kemi filluar të punojmë goxha herët me Maksin për atë që do të zhvillohet gjatë këtyre ditëve. Është një intervenim specifik në këtë lokacion. Intervenimi do të jetë në kinemanë kryesore dhe në kinemanë verore”, ka thënë udhëheqësja e Fondacionit, Nita Zeqiri.
Artisti Maksut Vezgishi ka treguar se kujtimet e tij për “Kino Rininë” datojnë qysh nga vitit 1978, kur edhe u bë banor i përkohshëm i Prishtinës, asokohe si student.
“Të gjitha kujtimet e mia për ‘Kino Rininë’ janë të gjalla. Ishte një sallë tejet moderne me të gjitha kapacitetet teknike. Ka qenë ndër shembujt se si funksionojnë kinematë e qytetit”, ka thënë ai.
Ka treguar se tash është një objekt pothuajse i rrënuar tërësisht nga të gjithë mbështjellësit që i ka pasur në funksion. E ka përshkruar hapësirën si një sallë të zbrazët që i është lënë kohës.
“Gjendja e sotme e ka një lloj estetike në shkatërrim e sipër. Por, është shumë tërheqëse. Pak a shumë është në atë gjendje, jo që nuk ka bukuri, por e ka bukurinë e shkatërruar. Njëfarë bukurie ku mund të intervenohet për t’i vënë në pah disa çështje se si është lënë objekti, si ka ardhur deri te kjo e çka do të bëhet më tutje”, ka thënë Vezgishi, i cili këtë vit prezantoi Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venecia me veprën “C0ntainp0rary”.
Ka thënë se me rastin e “Kino Rinisë” kemi të bëjmë me një hapësirë, thjesht të zbrazët dhe të errët që i është lënë kohës.
“Mendova të kthehem në kohë kur kinemaja në fillimet e saj ka qenë pa zë, pa projektimet e para të dritës, kur filmat kanë zgjatur 30 sekonda pa efektet e zërimit të cilat janë shtuar më vonë. Kjo është baza ku jam nisur në lidhje me konceptin që do të prezantohet”, ka thënë ai. Derisa ka folur për konceptin, ka treguar se performancat tri ditë radhazi do të rrëfejnë deri diku edhe atë se përse kjo kinema është e heshtur dhe nuk e dimë çfarë do të ndodhë atje.
“Koha prej viteve ’90 e tutje duhet të jetë sqaruese se çfarë ka ndodhur jo vetëm me objektin, por edhe me këtë gjendje që e kemi në Kosovë”, ka thënë ai derisa ka folur për intervenimin specifik që është formë konceptuale e performimit. Për këtë “inskenim” janë angazhuar edhe dramaturgët, Doruntina Basha, Artrit Bytyçi dhe Fjolla Hoxha. Pastaj nëpërmjet konceptit regjisorial vendoset në skenë krejt performanca ku janë të përfshirë edhe “operatorët” e kinemasë Cristina Mari dhe Donikë Ahmeti. Objekti i ndërtuar në fillet e viteve ’50 të shekullit të kaluar është nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe aktualisht duket si vend i braktisur.
“Operatorët janë të parët që kanë punuar në kinematë e heshtura. Për ata i kemi quajtur operatorë”, ka thënë Vezgishi, derisa ka folur për dyshen e angazhuar që do të interpretojnë në sallë e jashtë saj.
Salla e përdheses, që dikur kishte 850 karrige për ata që donin të shikonin filma, është e tjetërsuar. Ka kohë që aty janë zhvilluar aktivitete të tjera. Ishte diskotekë e edhe hapësirë e lojërave të fatit. Tash ngjan me një gërmadhë që e ka bjerr koha e njerëzit. Veç dyshemeja e pjerrët është shenjë e një kinemaje të dikurshme. Vitin e kaluar, AKP-ja kishte provuar ta jepte me qira hapësirën prej 1.722m2. Bëhet fjalë për ndërmarrjen shoqërore “Genci”, që menaxhon me atë që dikur ishte “Kino Rinia” në rrugën “Migjeni” dhe me Kinemanë ABC në rrugën “Rexhep Luci”, që ishte “Kino Vllaznimi”.
Me vetë “Gencin” si kompani për distribuimin dhe shfaqjen e filmave menaxhon AKP-ja. Asetet e “Gencit” janë në likuidim qysh prej vitit 2014. Por nuk janë privatizuar ende. Gazeta vitin e kaluar kishte raportuar se më 2004 aty kishin mbajtur festivalin e filmit indian në Kosovë.
Pas luftës, Kinemaja ABC ishte hapur më 24 maj të vitit 2000 me filmin “Kolonel Bunkeri” të regjisorit shqiptar, Kujtim Çashku.
“Kinemaja Rinia” nuk funksiononte pasi nuk kishte shikues. Prej 2005 ose 2006 ja kemi nisur me e dhanë me qira. Pastaj ka qenë gjykata aty. Më pas diskotekë e së fundi kanë qenë lojërat e fatit”, kishte thënë Milazim Salihu, i cili menaxhonte me “Gencin” e tash menaxhon me “Cineplexx” në Kosovë.
Pas intervenimit treditor, me datën 10 shtator “Shtatëmbëdhjetë” do të organizojë një diskutim publik sa i përket të ardhmes së “Kino Rinisë”. Zyrtarë të pushtetit lokal, atij qendror dhe përfaqësues të shoqërisë civile do të shpalosin idetë e tyre për këtë hapësirë.