Në projektin më të ri të artistit Dardan Zhegrova, 30 poezi bashkë me disa vizatime shkrijnë vijën që i ndan, duke rritur aktivitetin midis veprës dhe pranuesit të saj. Në fillim të librit e në fund të tij gjenden disa shabllone të vizatimeve të Zhegrovës, që shumë lehtë mund të shkoqiten. Qëllimi i artistit është që të nxitë interaktivitet. Kushdo që i lexon poezitë mund të krijojë edhe një lloj arti në hapësirën që ofron libri midis vargjeve
“Wish a dream and dream a wish”, projekti i ri i artistit Dardan Zhegrova ka marrë formë libri. “Tu mendu me mbijetu, dritës m’i shpëtu, natën me u pajtu, andrrar me m’qu, mandej me u harru, e nesër prap me provu”, është vetëm një strofë e poezisë “Tu mendu” që bashkë me 29 poezi të tjera i japin formë librit. Në fillim të librit e në fund të tij gjenden disa shabllone të vizatimeve të Zhegrovës, që shumë lehtë mund të shkoqiten. Qëllimi i artistit është që të nxitë interaktivitet. Kushdo që i lexon poezitë mund të krijojë edhe një lloj arti në hapësirën që ofron libri midis vargjeve të poezive, duke shkrirë kështu vijën që i ndan këto dy krijimtari.
Zhegrova, i lindur në vitin 1991 në Prishtinë, është një nga artistët më premtues të gjeneratë së re në vend. Ani pse Zhegrova kryesisht realizon vepra që për bazë kanë materialin (pëlhurën) dhe instalacione, praktika e tij artistike ka rrënjë edhe te shkrimi, pasi që ai për një kohë kishte punuar edhe si gazetar.
Projekti “Wish a dream and dream a wish” kishte nisur para dy vjetëve, ndërsa poezitë janë shkruar gjatë një periudhe katërvjeçare. Zhegrova ka thënë se pikërisht poezia “Wish a dream and dream a wish”, e cila ia ka dhënë titullin edhe projektit, është baza e konceptit për këtë projekt.
“Me poezi më shumë kam filluar me audioincizime në telefon, e kam incizuar veten në momente të ndryshme dhe në njëfarë mënyre edhe duke e dokumentuar realitetin tim, por edhe duke dashur me ‘ëndërrua me sy qel’ edhe me e mbush realitetin me diçka qe unë e kam ndie edhe që kam dashtë me e arrit apo varësisht se çka ka qenë momenti”, ka thënë ai.
Artisti duke i dëgjuar audioincizimet e poezisë e ka bërë që ta përdorë të njëjtën edhe si bazë për instalacionet që i ka me tekstil e shumicën e veprave të tij që janë multimediale. Thënë ndryshe, audiopoezitë, siç ka thënë edhe Zhegrova, janë të integruara në instalacione dhe bëhen pjesë e pandashme për t’u dhënë jetë veprave. E kësaj radhe në projektin “Wish a dream and dream a wish” sikur kanë ndërruar rolet. Janë vizatimet ato që në një formë u japin jetë poezive.
“Prej audioincizimeve më pas kam filluar të shkruaj, pasi që shkrimi e kishte në ndjenjë tjetër, kurse tani i bëj të dyja dhe disa prej poezive në libër janë të shkruara në origjinal, por disa janë të transkriptuara prej incizimeve”, ka treguar Zhegrova, duke theksuar se ato pak a shumë e kanë frymën dhe stilin e njëjtë. Ani pse ka theksuar se audioincizimet janë më spontane e shkrimi kalon edhe nëpër faza të tjera të redaktimit, ai insiston çdoherë që poezia të mbetet sa më afër origjinalit, së folurës së artistit.
“Ideja fillestare ishte që të kishte vizatime dhe poezi. Mirëpo më vonë e kam parë që shumica e punëve të mia janë interaktive, publiku bashkëvepron me to dhe ndodh një lloj komunikimi në mes të publikut dhe veprës”, ka thënë artisti. Pikërisht bashkëveprimi e kishte shtyrë që vizatimet t’i kthente në shabllone të prera, përmes së cilave kushdo që e ka librin mund të vizatojë ose të ngjyrosë në faqet e tij.
“E kam parë interesante që një vizatim i vetëm mundet me u interpretu në shumë forma të ndryshme, pasi që dikush e ngjyros ndryshe, dikush e bën në një formë apo me një ngjyrë të caktuar”, ka thënë ai. Sipas tij, kjo bën që diçka e njëjtë të mund të interpretohet ndryshe prej secilit.
“Dhe të përdoret për arsye të ndryshme, për shembull, për me e interpretu një ndjenjë që ia jep një poezi, apo varësisht që çfarë dëshiron. Pra në një formë është më argëtuese që më e lexu librin dhe në të njëjtën kohë me ngjyros”, ka thënë ai. Sipas artistit, vetë ideja ia dikton mediumin të cilin do ta përdorë.
“Në këtë është rast shkrimi dhe vizatimi që janë bërë libër e që është një medium i caktuar, mirëpo nuk është se është ndryshim i mediumit apo edhe largimin prej asaj që jam mësuar me e realizu deri tash”, ka thënë artisti.
Sipas redaktores Cathrin Mayer, projekti ka ardhur me qëllim të imagjinimit të një hapësire alternative për të realizuar art, jashtë mureve të studios dhe galerive.
“Duke kaluar në mes shkrimit, përshkrimit të vendeve dhe aksione, poezitë e Zhegrovës shpesh çajnë në një botë të imagjinuar, të gdhendur përmes përshkrimeve të sinqerta të artistit për ndjenjat. Kjo mënyrë e shkrimit e inkurajon lexuesin që të krijojë lidhje me poezitë përmes kujtimeve të veta personale e të ngjashme”, ka shkruar ajo në shkrimin e përgatitur me rastin e publikimit të librit. Sipas Mayer, inkuadrimi i shablloneve të bazuara në vizatimet e artisti, si dhe forma e madhësia e librit, kopërtina e çdo gjë tjetër vënë në pah praktikat e artistit. “Praktika që kanë rrënjë në të kuptuarit se arti është një mjet i qasshëm për të gjithë dhe ka potencialin për të artikuluar fantazitë që mundësojnë kuptimin e vetes dhe ekzistencës në këtë botë”, ka shkruar tutje ajo. Dizajnin grafik të librit e ka realizuar Enver Hadzijaj. Libri ishte planifikuar që të promovohej gjatë vitit 2020, mirëpo për shkak të pandemisë kjo ende nuk është bërë. Artisti beson që këtë vit të bëhet edhe promovimi. Libri është botuar nga “Sternberg Press”, mbështetur nga “Erste”, “tranzit.at”, Presidenca e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.