Kulturë

“Virgjëresha shqiptare” fitues i trefishtë, filmi më i mirë në “PriFest”

Filmi nën regji të Bujar Alimanit “Albanian Virgin” është fitues i trefishtë në “PriFest”. Pos çmimit kryesor- atë të garës ballkanike që mban emrin “Vjosa Berisha”, aktorja e këtij filmi, Rina Krasniqi, është shpallur fituese e Çmimit për aktoren më të mirë dhe atij për aktorin më të mirë. Siç është thënë edhe në ceremoni, është e pazakontë që një aktor të fitojë çmimet për dy gjinitë. Por roli që ka Krasniqi, duke portretizuar Luanën, ka bërë që ajo të jetë laureate e dy çmimeve, pasi ajo është grua dhe burrë në këtë projekt kinematografik

Filmi “Albanian Virgin” (Virgjëresha shqiptare) ka fituar çmimin kryesor të “PriFestit” në Prishtinë. Filmi nën regji të Bujar Alimanit është, po ashtu, fitues i trefishtë në këtë festival. Pos çmimit kryesor, atë të garës ballkanike që mban emrin “Vjosa Berisha”, aktorja e këtij filmi, Rina Krasniqi, është shpallur fituese e Çmimit për aktoren më të mirë dhe i atij për aktorin më të mirë. Siç është thënë edhe në ceremoni, është e pazakontë që një aktor të fitojë çmimet për dy gjinitë. Por roli që ka Krasniqi duke portretizuar Luanën ka bërë që ajo të jetë laureate e dy çmimeve, pasi ajo është grua dhe burrë në këtë projekt kinematografik.

Çmimi për regjinë më të mirë i ka takuar regjisores Kaltrina Krasniqi për regjinë e filmit “Vera andrron detin”. “Hyjnesha e artë” për kineastin kosovar për arritjet vjetore në fushën e kinematografisë i është ndarë aktorit Alban Ukaj për sukseset e tij të sivjetshme. Çmimi për dokumentarin më të mirë i është dhënë “Come On Time”, kurse ai për film të shkurtër është ndarë për “North Pole”. Sivjet është vendosur që për metrazhin e mesëm të shpërblehet “Cow Bells”.

Juria në përbërje të John Mathieson, Anna Machukh dhe Edvinal Pukshta ka vlerësuar filmin “Albanian Virgin” si rrëfim që shtjellon një temë shumë të ndjeshme e adreson probleme me të cilat janë përballur dhe përballen shoqëritë. Prej këtij viti çmimi kryesor, Filmi më i mirë në kategorinë ballkanike, ndahet për producentin e filmit dhe mban emrin e producentes Vjosa Berisha, themeluese dhe drejtuese e “PriFestit” deri në qershorin e sivjetmë, kur vdiq pas një sëmundjeje të rëndë.

“Faleminderit jurisë që keni vlerësuar atë që kemi bërë”, ka thënë ekipi i filmit që vjet qysh në premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë ka marrë Çmimin e jurisë. Filmi shtjellon fenomenin e burrneshave shqiptare. Shpalos një rrëfim të vitit 1958, kur një malësore shndërrohet në burrneshë për të marrë gjakun e të atit. Bëhet fjalë për një rrëfim që zhvesh traditat kanunore në malësinë shqiptare duke bërë që të nxirren në pah patriarkati dhe shtypja e grave.

Pikërisht aktorja e këtij filmi, Rina Krasniqi, është fituesja e dyfishtë duke marrë Çmimin për aktoren më të mirë dhe atë për aktorin më të mirë. Ajo në film është një vajze e cila shndërrohet në burrneshë dhe hyn në rend të burrave për të marrë gjakun e të atit.

“Jam rritur në ‘PriFest’. Shtëpia ime është ‘PriFesti’. Çmimin ia dedikoj nënës sime. Filmin ua dedikoj grave dhe vajzave të fuqishme. E një prej tyre është Vjosa Berisha”, ka thënë ajo. Ndërsa kur e ka pranuar Çmimin për aktin më të mirë ka thënë se zemra rrah ndryshe në vendin tënd. “Jam shumë e bekuar dhe e privilegjuar”, ka thënë ajo.

KRITIKË FILMI:

Sa i përket regjisë më të mirë, juria ka vendosur që ta shpërblejë punën e regjisores Kaltrina Krasniqi në filmin “Vera andrron detin”, që premierën botërore e kishte vitin e kaluar në Festivalin e Venecies. Ajo është shpallur fituese e Çmimit për regjinë më të mirë.

“Kam marrë shumë dhurata sivjet në krejt botën, por ky është nga qyteti im”, ka thënë Krasniqi.

Aktori Alban Ukaj është vlerësuar si kineasti kosovar për arritjen vjetore në fushën e kinematografisë. Ukaj pos aktivitetit të tij në disa projekte, sivjet ishte edhe në Festivalin e Cannes si aktor i filmit “Tori and Lokita”, nën regji të Jean-Pierre dhe Luc Dardenne. Filmi kishte premierën botërore në atë që njihet si festivali i festivaleve. “Hyjnesha e arte” i ka takuar Ukajt, i cili jeton në Sarajevë tash e dy dekada.

“Jam njëmend e emocionuar. Kthehesh në Prishtinë ku je rritë e formuar si personazh e karakter.... Ishte surprizë, por besoj që me punën time dhe me miqësinë do tua kthej për të mirë”, ka thënë ai.

Festivali ka ndarë edhe çmimet e tjera që ndahen zakonisht nga sponsorët e kësaj ngjarjeje.

Regjisori Fatos Berisha, i cili sivjet ka organizuar ngjarjen në edicionin e 14-të në mungesë të bashkëshortes së tij, Vjosa Berisha, ka falënderuar të gjithë mbështetësit. Ka thënë se shpreson që Vjosës t’i ketë pëlqyer ky organizim.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë është mbajtur edhe duke iu dedikuar themeluese Vjosa Berisha. Motoja e sivjetme ka qenë “For her” (Për të) dhe fotografitë e producentes kanë qenë kudo. Për gjashtë ditë radhazi “PriFest” e ka bërë Prishtinën qytet të filmit. Sivjet edhe Festivali i Filmit të Odesës ka qenë i pranishëm në Prishtinë, duke shfaqur një program filmash në kuadër të programit “Odesa përtej kufijve”.