Kulturë

“Vështrime të reja” me botën në objektivin e të rinjve

Ekspozita tregon se fotografia nuk është vetëm një akt estetik, por edhe një mjet për të ndalur kohën dhe për ta parë atë me një sy tjetër

Ekspozita tregon se fotografia nuk është vetëm një akt estetik, por edhe një mjet për të ndalur kohën dhe për ta parë atë me një sy tjetër

“Europe House” tashmë është bërë një adresë e njohur për promovimin e artit bashkëkohor dhe aktivizimit kulturor. Për shumë artistë të rinj, kjo hapësirë ofron mundësinë për të ekspozuar punën e tyre në një kontekst ndërkombëtar, duke u bërë pikënisje për rrugëtim më të gjerë artistik. Në këtë kuptim, ekspozita “Vështrime të reja” ka qenë edhe një shenjë e përpjekjeve për t’i dhënë hapësirë brezit të ri të fotografëve kosovarë

Ekspozita e dy artistëve të rinj që karrierën e fotografisë e kanë filluar së fundi s’është thjeshtë ngjarje. Tregon më shumë. Në “Europe House” në Prishtinë, publikut i është dhënë qasja për ta parë ekspozitën me titull “Vështrime të reja”, me fotografi të Lum Hajrullahut dhe Festa Ramojës. Ekspozita e përbashkët ka treguar përmes fotografisë momente intime e njerëzore deri te horizontet mahnitëse.

Në hapje të ekspozitës, të mërkurën, vizitorët e paktë që kanë qenë të pranishëm janë përballur me një ambient të qetë, ku dritat e zbehta dhe renditja minimaliste e fotografive kanë krijuar një ritëm të brendshëm të vështrimit. Secila fotografi dukej se kishte një zë të vetin, duke ftuar publikun të qëndrojë pak më gjatë para saj.

“Europe House” tashmë është bërë një adresë e njohur për promovimin e artit bashkëkohor dhe aktivizimit kulturor. Për shumë artistë të rinj, kjo hapësirë ofron mundësinë për të ekspozuar punën e tyre në një kontekst ndërkombëtar, duke u bërë pikënisje për rrugëtim më të gjerë artistik. Në këtë kuptim, ekspozita “Vështrime të reja” ka qenë edhe një shenjë e përpjekjeve për t’i dhënë hapësirë brezit të ri të fotografëve kosovarë.

Kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, ekspozita ka tentuar të tregojë se sa e qartë dhe e fuqishme është bota në sytë e të rinjve. Disa nga fotografitë e Lum Hajrullahut kanë shfaqur momente të një serie kapur në protesta të ndryshme, ndërsa të tjerat janë realizuar në vende të ndryshme, disa prej tyre edhe në Sarajevë. Pjesë e fotografive janë lojërat e shahut në një çajtore që nuk ekziston më, e pamje të momenteve gjatë festës së Shën Gjergjit në Babaj-Bokës të Gjakovës.

“Një pjesë e fotografive të realizuara dhe si pjesë e kësaj serie janë të realizuara në protesta të ndryshme, si për shembull kjo seria e fotografive është realizuar në protestat e 1 Majit dhe 8 Marsit përgjatë viteve, domethënë prej vitit 2024 deri në vitin 2025, ndërsa fotografitë e tjera janë të realizuara në vende të ndryshme dhe po ashtu kanë domethënie të ndryshme, si për shembull fotografia që është krejt andej majtas është në Babaj-Bokës në Gjakovë, e ka domethënien për një festë tradicionale që vazhdon të festohet në rajonin e Gjakovës dhe në Kosovë po ashtu”, ka thënë për KOHËN Lum Hajrullahu, i cili ka nisur të kapë momente me aparat digjital relativisht vonë, prej vitit 2023.

Ai ka treguar se përmes fotografisë mundohet të bëjë dokumentimin e momenteve që zakonisht nuk janë aq shumë të dokumentuara.

“Çka tentoj të kap përmes fotografive, kryesisht është të shfaq një anë, e cila është shumicën e kohës e neglizhuar ose që nuk është e dokumentuar aq shumë, për atë arsye unë anoj më shumë në fotografinë e dokumentimit, domethënë të dokumentoj diçka të re, ose diçka që veçse është dokumentuar, por në një formë tjetër”, ka thënë ai.

Pasioni për fotografi i ka lindur nga profesioni i babait të tij, i cili është po ashtu fotograf. Sfidë në këtë medium ka theksuar se është kryesisht mungesa e hapësirave të duhura për artistët që punën e tyre duan ta prezantojnë para publikut. Inkurajimi për të rinj që të merren me fotografi, sipas tij, është shumë i rëndësishëm, për shkak se në shoqërinë tonë ka një mungesë të aktivizimit rinor, sidomos për fotografinë bardhezi.

“Pse kam filluar të merrem me fotografi, ka qenë kryesisht nga babai im, i cili më ka inspiruar e që vetë është fotograf dhe po ashtu e kam vërejtur që ekziston një mungesë në shoqërinë tonë, por po ashtu edhe në krijimtarinë e fotografisë bardhezi dhe veçanërisht nga të rinjtë dhe disa nga vështirësitë të cilat i kam hasur si fotograf, kanë qenë që nuk ka pasur hapësira të denja për artistë që ta zhvillojnë këtë veprimtari të tyre dhe për këtë arsye, pasi i fillova studimet, dhe pasi fillova të merrem me aktivizmin social, një ndër ta ishte qendra sociale ‘Termokiss’, po ashtu e gjeta veten në mediumin e fotografisë”, ka thënë ai.

Ndërkaq Festa Ramoja, që fotografinë e ka filluar në fund të vitit të kaluar, ka paraqitur momente më intime dhe detaje të njerëzve e pamje panoramike, kryesisht të errëta, të objekteve e monumenteve. Kryesisht njerëzit e afërt janë fokusi i aparatit të saj fotografik. Nuk janë ngjarje të mëdha ato që kap ajo, janë momentet e zakonshme të pasqyrimit shpirtëror.

“Këto fotografi janë dokumente vizuale të një kërkimi që qëndron diku mes natyrës dhe ndjeshmërisë intime. Ajo që vërehet menjëherë është mungesa e spektaklit, nuk ka ngjarje të mëdha, nuk ka të jashtëzakonshme. Në vend të kësaj, fokusi është vendosur mbi hapësirat e zakonshme, trupa që pushojnë, dhe çastet ku njeriu kthehet drejt vetes. Njerëzit nuk janë portrete në kuptimin përfaqësues, por trupa që i përkasin një konteksti emocional. Ka një vëmendje të theksuar ndaj gjurmës që lë drita në mur, që lë mosha mbi lëkurë, që lë një shikim i ikur nga kamera”, ka thënë për KOHËN Festa Ramoja.

Sipas saj, në njëfarë mënyre, ky është një arkiv mbi mënyrën se si njeriu i zakonshëm vendoset në raport me kohën, trupin, dhe vetminë.

“Nga ana vizuale, estetika e imazheve lidhet me një lloj ndjeshmërie ndaj ngjyrës së errët, dhe thjeshtësisë kompozicionale. Ndërsa peizazhet në këtë cikël s’janë vetëm artistike, janë një formë e vëzhgimit të thellë e gati rituale. Natyra përjetohet si hapësirë ku ndodhin gjëra “të vogla”. Këto nuk janë pamje që të ftojnë në konsum të shpejtë vizual. Estetikisht, peizazhet flasin me të njëjtën gjuhë si portretet: ngjyrat e ftohta, mjegulla e të tjera”, ka shtuar ajo.

Megjithëse vijnë me stile dhe qasje të ndryshme, Ramoja e Hajrullahu e plotësojnë njëri-tjetrin në këtë bashkekspozitë. Ai më i angazhuar në dokumentim të realitetit social dhe momenteve publike, ndërsa ajo e përqendruar në detaje intime dhe përjetime të brendshme. Së bashku krijojnë një urë midis së jashtmes dhe së brendshmes, duke sugjeruar se fotografia nuk është vetëm dritare drejt botës, por edhe pasqyrë e shpirtit të njeriut.

Në thelb, ekspozita e tyre thekson se fotografia nuk është vetëm një akt estetik, por edhe një mjet për të ndalur kohën dhe për ta parë atë me një sy tjetër. Çdo imazh është dëshmi e një çasti që nuk kthehet më, por që mbetet si kujtesë kolektive e një gjenerate që po e mëson veten të flasë përmes dritës dhe hijes. Këta të rinj tregojnë se dokumentimi i së tashmes është po aq i rëndësishëm sa edhe ëndërrimi i së ardhmes.