Ndarja nga jeta e profesor Fazli Sylës ishte një lajm i pikëllueshëm për të gjithë ne që e njohëm. Familja Syla humbi anëtarin e kryefamiljarin e saj të dashur, Instituti Albanologjik humbi kolegun dhe drejtuesin e tij, Republika e Kosovës humbi personalitetin që u priu proceseve të rëndësishme të mëvetësimit të arsimit, të kulturës dhe të shkencës sonë, ndërsa albanologjia njërin ndër emrat e saj emblematikë, i cili veçmas la gjurmë në studimet folkloristike dhe në përvijimin e politikave arsimore, kulturore e shkencore të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Angazhimi i Fazli Sylës në krye të Bashkësisë Punuese të Shkencës të Kosovës për vite të tëra dhe për një mandat edhe në krye të resorit të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës (1974-1978), sikurse edhe në shumë komisione e mekanizma të ndryshëm të rangut federativ, në të cilët ai përfaqësonte Kosovën, puna e tij në institucione edukative-arsimore dhe shkencore hulumtuese, dëshmojnë për kapacitetin profesional, qëndrimin intelektual dhe parimësinë e tij etike, si hartues dhe zbatues i politikave me orientime kombëtare në këto fusha jetike.
Në tetëdhjetëvjetorin e lindjes së prof. dr. Fazli Sylës, para pesë vjetësh, pata nderin të jem njëri ndër folësit në tryezën shkencore që, për nder të tij, u organizua nga Instituti Albanologjik. U përcaktova të flisja për veprimtarinë e tij arsimore e shkencore, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e re të shqiptarëve të mbetur në RSFJ. I bindur se nuk do të mund të thosha diçka më me peshë, në këtë kohë trazimesh të përgjithshme si pasojë e pandemisë, po e sjell këtë fjalë timen si një homazh për profesorin, mikun, kolegun, njeriun që e karakterizuan tiparet më të spikatura etike, profesionale, intelektuale e humane.
Personalitet që punoi për transformim rrënjësor
Kulturat e përparuara shquhen për një vlerësim të veçantë ndaj traditës dhe kronologjisë së tyre zhvillimore. Nisur nga ky fakt, kohët e fundit në Kosovë janë bërë disa përpjekje fillestare për të vlerësuar punën e themeltarëve të proceseve të reja arsimore, kulturore e shkencore si pjesë e rëndësishme e ngritjes sonë të përgjithshme shoqërore, shtetërore e kombëtare. Historiku i ngritjes së kapaciteteve arsimore, kulturore e shkencore të shqiptarëve të mbetur nën ish-Jugosllavinë, që nis më 1941, ka emra të përveçëm, kontribuues, me të cilët identifikohen disa nga arritjet kryesore të asaj kohe.
Profesor Fazli Syla është protagonist që i ka përjetuar gjithë këto faza kohore, fillimisht si nxënës e më vonë edhe si mësues, profesor e njëri ndër disenjatorët e sistemit arsimor, shkencor e kulturor që shqiptarët e kësaj pjese e formuan në procesin e ndryshimeve në jetën shoqërore që ndodhën në shtetin e asokohshëm. Nuk është fjala thjesht për një dëshmitar, fjala është për njërin ndër ato personalitete që punoi për këtë transformim rrënjësor, duke bërë që një shoqëri pothuajse analfabete të marrë tipare të një shoqërie të përparuar. Me një fjalë, transformimet që do të pasonin më vonë, profesori ynë i kishte përjetuar në një përmasë më të vogël në vetveten e tij. Përkushtimi i tij, që mbase gjedhen më të përafërt e ka gjetur në moton e rilindësve tanë se “vetëm dritë diturisë përpara do na shpjerë”, ishte dhe mbeti edhe sot e kësaj dite njëra ndër cilësitë kryesore për të ecur i vendosur në rrugën e përparimit, në rrugën e dijes dhe të ngritjes institucionale të Kosovës e të shqiptarëve të kësaj pjese përgjithësisht. Kredoja e tij morale e profesionale, e konceptuar në fjalët “Veten e shoh në mesin e të tjerëve, kohërave, personaliteteve dhe ngjarjeve nëpër të cilat kam kaluar”, është dëshmi e një vetëdijeje institucionaliste kundruall individualizmit primitiv që na shoqëron gjithandej në diskursin tonë publik.