Kulturë

“Velloja e kujtimit si dramë” me kontrastin e së tashmes

Prishtinë, 7 maj – Jeta Kalveshi ka përzgjedhur që nëpërmjet të kaluarës të kritikojë të tashmen e të japë mesazhe për të ardhmen. Këtë e bën në pikturë. Në formate të ndryshme, ajo sikur i bën homazh fëmijërisë së saj e të bashkëmoshatarëve. Biblioteka të tëra familjare shihen në pikturat e saj. Janë aso që janë mbushur me libra për vite të tëra.

Në ekspozitën e saj personale, “Velloja e kujtimit si dramë”, që është hapur të hënën mbrëma në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë, veprat e Kalaveshit nuk përfundojnë thjesht si kujtim. Fëmijët pranë librave e gjësendeve të tjera, kryesisht tradicionale shqiptare, si djepi, janë njëfarë udhëpërshkrimi i fëmijërisë së saj. Me ngjyra të forta në pëlhurë, Kalaveshi ka paraqitur ambientet që për të janë ideale. Por në këtë lloj “muzeu” të librave, vizitorët nuk ecin thjesht në të kaluarën.

Shihet qartë që kritikohen e tashmja e edhe e ardhmja. Një grumbull librash pranë një magnetofoni relativisht të vjetër e plotësojnë mozaikun me 18 piktura të ekspozitës së Kalaveshit. Në të njëjtin stil me vaj në pëlhurë, Kalaveshi shëtit vizitorët nëpër biblioteka të ndryshme. Veprat e saj, që për herë të parë ekspozohen para publikut në një ekspozitë personale, janë vazhdimësi e ekspozitës paraprake “Post Mortem” që ishte hapur më 2017 në galerinë “Qahili” në Prishtinë.

Profesoresha e saj, njëherësh kuratore e ekspozitës, Zake Prelvukaj, ka thënë se në këtë rast të pranishmit kanë të bëjnë me një ekspozitë shumë atraktive dhe me një artiste të re që gjithë jetën e vet absorboi me dije e ndërdije.

Artisti Mehmet Behluli ka thënë se gjithmonë është kënaqësi kur shihen artistët e rinj duke dhënë kontribut për shoqërinë nëpërmjet veprave të tyre. Sipas tij, ata kanë filluar t’i mbulojnë ambientet e artit.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")