Është i paçmuar kontributi i tyre në çështjen shqiptare. Nuk lanë derë pa e hapur për ta çuar zërin e Kosovës e të Shqipërisë në SHBA. Armë e tyre qe e vërteta dhe për të nuk kursyen asgjë. Por ky është vetëm njëri kapitull e me shumë detaje të tjera, rrugëtimi i tyre shpaloset në librin “Vëllezërit Osmani” i Emin Kabashit, i cili të mërkurën në Prishtinë është përuruar në anglisht me titullin “The Osmani Brothers”. Në esencë, krejt veprimtaria e tyre vjen si mësim fisnik për atdhedashurinë
Në fund të viteve ‘80 Kosovës po i shtohej trysnia. Serbia kishte nisur t’ia vinte flakën nacionalizmit e shqiptarët po riktheheshin nën një okupim klasik, pavarësisht rezistencës paqësore. Në jug të asaj që ishte Krahinë, Shqipëria po bënte përpëlitje të demokratizimit pas gati gjysmë shekulli diktaturë.
Ishte kohë kur informacionet dhe e vërteta lëviznin më vështirësi, sidomos nga një Kosovë që po bënte një jetë shoqërore paralele në raport me institucionet që udhëhiqeshin nga Serbia. Pa fuqitë e mëdha sa i përket rendit botëror, përpjekjet për çlirim, ishin si disa goditje të zbehta e simbolike. Duhej një burim i fortë i së vërtetës nga jashtë që realiteti në Ballkan të dilte në sipërfaqe në rang global e sidomos në Perëndim.
Pikërisht për këtë, Kosovës e shqiptarëve në përgjithësi do t’u gjendej një familje që nuk kishte mundur ta duronte presionin e asnjërit regjim: atij Jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore e as atij të Shqipërisë së asaj kohe.
Familja Osmani nga fshati kufitar me Shqipërinë, Morinë në fund të viteve ’60 do të ikte për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me punë do të arrinin të siguronin stabilitet ekonomik e më pas vëllezërit Hasan, Osman e Esat Osmani do të nisnin që nëpërmjet figurave të rëndësishme të politikës amerikane t’i jepnin zë të vërtetës për atë që po ndodhte në atdheun e tyre. Lobi Shqiptaro-Amerikan që anëtar kyç e motor të lëvizjes i kishte Osmanët, në vitet e ’90 do të dëshmohej me shumë ndikim në përcaktimin e politikës amerikane karshi Shqipërisë dhe Kosovës në veçanti.
Monografia “The Osmani Brothers” (Vëllezërit Osmani) botuar në anglisht nga Botimet KOHA që është promovuar të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” rrumbullakon kontributin e familjes për çështjen shqiptare. Libri me autor Emin Kabashin e i përkthyer nga Alexandra Channer, në shqip ishte botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës në shkurt të vitit 2020.
Në tetë kapituj, monografia shpërfaq në detaje aktivitetin e emigrantëve shqiptarë në SHBA sa i përket sjelljes së një ere të re në Ballkan. E në fokus i ka vëllezërit Osmani të cilët pos njohjeve me politikanë të rëndësishëm amerikanë, kanë investuar edhe pasuri për të ndihmuar Kosovën e Shqipërinë.
Drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka kujtuar kohën kur si refugjate e luftës kishte takuar Osman Osmanin në Maqedoni. Ka treguar se ai kishte ardhur nga SHBA-ja për të shikuar mundësinë për të ndihmuar shqiptarët. Ka thënë se autori i monografisë, i kishte gjetur themelet punimit të tij në fatkeqësinë e shqiptarëve të ndarë, atëherë në dy, e tash në pesë shtete.
“Shkuarja në Perëndim si rrugëdalje për të siguruar ekzistencën, nuk mundi ta shuante mallin për atdheun. U bë motiv për një luftë pa armë e pa plumba – për një luftë që shqiptarët nuk e kishin njohur deri në themelimin e Lobit shqiptar në Amerikë”, ka thënë Surroi. Sipas saj, ishte kuptuar se pa njerëz që mund të shtynin para agjendat politike te qendra botërore e vendimmarrjes, zor se do të bëhej ndonjë hap.
“E ne ishim me fat që në mesin e themeluesve të këtij lobi ishin edhe vëllezërit Osmani”, ka thënë ai.
Ka treguar se që nga java që vjen, libri do të jetë në ShBA dhe do t’u dhurohet miqve dhe bibliotekave ashtu që edhe një pjesëz e historisë së Kosovës, nëpërmjet familjes Osmani, t’u bëhet e njohur miqve më të mëdhenj që ka Kosova.
“Botimi i këtij libri assesi nuk mund të jetë kthim i një borxhi moral ndaj Osmanëve. Porse gjithsesi është vetëm një shenjë e vogël falënderimi për patriotizmin e dëshmuar me vepra”, ka thënë Surroi.
Në tetë kapituj, monografia shpërfaq në detaje aktivitetin e emigrantëve shqiptarë në SHBA sa i përket sjelljes së një ere të re në Ballkan. E në fokus i ka vëllezërit Osmani të cilët pos njohjeve me politikanë të rëndësishëm amerikanë, kanë investuar edhe pasuri për të ndihmuar Kosovën e Shqipërinë
Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, ka thënë se kjo monografi, është veçse një pjesë e së vërtetës për ndihmesën e madhe që dha mërgata, nëpërmjet shembullit të familjes Osmani, njëkohësisht është edhe shprehje e mirënjohjes për gjithë angazhimin e saj e për ndihmën që ia dhanë Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht në kohë të vështira e vendimtare të historisë.
“Duke e përmbyllur këtë fjalë, dua të shpreh edhe mirënjohjen time për gjithë këtë angazhim madhor të familjes Osmani, veçse këtë do ta bëj duke huazuar fjalët e Joseph DioGuardit, i cili pohonte: ‘Kishte shumë punë që duhej bërë, si në Kosovë, si në Shqipëri, si në Maqedoni. Por, për t’i bërë këto punë, duhej ekip, duheshin mjete, para e gjëra të tjera. Pa vëllezërit Osmani, shpesh nuk mund të bënim asgjë. Këta ishin përherë aty ku kishte nevojë”, ka thënë ai.
Autori i monografisë, Emin Kabashi, ka thënë se ndihma e vëllezërve Osmani është vënë në realizimin madhor shekullor të shqiptarëve, në radhë të parë çlirimi i Kosovës pastaj për ardhjen e demokracisë në Shqipëri dhe ndihma që i është dhënë Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Ka treguar se ka bërë përpjekje t’i sistemojë mundin e tyre e investimet e tyre në këtë vepër brenda një rrjedhje të zgjidhjes së çështjes shqiptare.
“Sami Frashëri kishte thënë se: ‘Ai që nuk jep një qindarkë për atdhe, ai që nuk derdh një pikë gjak për atdhe nuk ka të drejtë të varroset në të’. Vëllezërit Osmani mund të varrosen në Amerikë, por ata një varr e kanë edhe në atdheun e tyre për të cilin kanë bërë çdo gjë që ka qenë e mundur”, ka thënë ai. Me këtë thënie të Frashërit hapet edhe libri prej 241 faqesh.
Duke folur për fuqinë dhe rolin e vëllezërve Osmani, ish-korrespoodenti i “Rilindjes” në New York e më pas ambasador i parë i Kosovës në ShBA, Avni Spahiu ka përmendur një prej miqësive të familjes me njeriun i cili për dy mandate qe në krye të fuqisë më të madhe në botë.
“Thuhej se presidenti Bill Clinton shkonte në shtëpinë e Osmanëve, hapte frigoriferin, merrte një birrë dhe uleshin e diskutonin për çështjen e Kosovës”, ka thënë Spahiu. Familja jeton në një shtëpi në periferi të New Yorkut që njihet si vendbanim i disa familjeve me reputacion.
Publicisti e shkrimtari Veton Surroi, i cili qe i përfshirë në proceset që ndërruan kahun e historisë në këtë anë, ka folur për rëndësinë e së vërtetës në vitet ’90 e po ashtu edhe për ditët e sotme kur e vërteta për dallim prej atëherë rrezikohet nga lajmet e rrejshme.
Ka thënë se janë tri mësime të cilat kjo familje i ka mbajtur si të shenjta në veprimtarinë e vet.
“E para është etika e ndihmës nëpërmjet së vërtetës. Pra përtej etikës fetare, obligimit për t’i dhënë nevojtarit është etika e ndihmës ndaj kombit nëpërmjet përhapjes të së vërtetës. Dhe kjo ka qenë pjesa themelore e veprimit të lobit shqiptaro-amerikan në atë kohë”, ka thënë Surroi. Si mësim të dytë e ka përmendur unitetin dhe konsensusin, duke thënë se ndihma të cilën kjo familje dhe lobi ia kanë dhënë vendit të vet, është mbi interesat e partive dhe krahinave shqiptare.
“Duhej ndihmuar pavarësinë e shteteve shqiptare, demokratizimin e tyre dhe rreshtimin krah botës perëndimore, aty ku e kanë vendin shqiptarët”, ka thënë Surroi. Sipas tij, mësimi i tretë është dhënia duke mos pritur shpërblim.
“Ndihma që është dhënë nuk është këmbyer as me lëvdatë, as me shpërblime as me favore materiale në Kosovën e pasluftës. Osmanët i dhanë vendit e kauzave shqiptare, sepse besuan të jetë obligimi i tyre, diçka që është më thellë se çdo shpërblim material”, ka thënë ai.
Në fund të ceremonisë promovuese, në emër të familjes Osmani, të pranishmëve u është drejtuar Hasan Osmani. Ka thënë se kthesat e mëdha historike në shoqërinë e njerëzimit janë të rralla. Sipas tij, ata patën nderin dhe fatin e madh që të jetojnë në kohën e ndryshimeve të mëdha.
“Në kohën kur një komb po bënte përpjekje për të fituar liri, jemi të lumtur që patëm mundësinë që të njihemi me njerëz të fuqishëm dhe të drejtë të cilët mbështetën qëllimet tona kombëtare. SHBA-ja hapi dyer për nismën që do të shpinte drejt fundit të robërisë në Kosovë, drejt lirisë, zhvillimit të qëndrueshëm, sigurisë dhe demokratizimit të saj”, ka thënë Osmani. Ka treguar se familja e tyre e mbështetur edhe nga komuniteti i madh shqiptar në Amerikë ka bërë veçse detyrën ndaj atdheut dhe ndaj kombit në momentet vendimtare të historisë. Ka treguar se për dekada të tëra preokupimi madhor ka qene aktiviteti për mbështetjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
“Në këtë libër është një pjesë e vogël e gjithë asaj historie të përpjekjeve të pandërprera. Si familje jemi të lumtur e krenarë për faktin që ishim pjesë e shërbimeve historike që rezultuar me çlirimin e vendit tonë”, ka thënë Osmani.
Vepra e botuar në shqip e anglisht i sjell lexuesit një pasqyrë të kontributit të emigrantëve për vendin e tyre. Bën bashkë historinë e një familjeje me vlera të veçanta. Aso që duhet marrë shembull në momente jo të lehta.
{gallery}