Kulturë

“Ura” lidh fatet e luftëtarëve në kohë lirie

Në Gjermaninë e gërmadhave, pas Luftës së Dytë Botërore, veteranët ishin të parët nga kategoria e invalidëve që guxuan të organizoheshin pavarësisht ndalimeve nga ana aleatëve. Një letrar nga Kölni, që shumë më vonë do të bëhej shkrimtar nobelist, Heinrich Böll, do të sillte në dritë fatin e një brezi të mbijetuarish të luftës kundrejt një Gjermanie që sikur nuk kishte nge të merrej me ata që u hendikepuan përjetshëm nga lufta. Në tregimthin e tij satirik “Këmba ime e shtrenjtë” (në origjinal “Mein teures Bein”), të botuar më 1948, një nëpunës cinik i ofron një veterani me këmbë të amputuar një punë si lustraxhi pranë një banje publike. Kur ai e refuzon atë me kërkesën që të merrte një pension më të lartë, nëpunësi do t’i përgjigjej pa e prishur çehren: “Ju jeni i çmendur”.

Në dialogun sarkastik që vazhdon me jakëbardhin që nuk do t’ia dijë për “këmbën tmerrësisht të kushtueshme”, siç e thotë me cinizëm, invalidi i thotë: “Duhet ta dini se ajo këmba ime ua ka shpëtuar jetën një mori njerëzve, të cilët sot marrin nga një pension të majmë”.

Me një evokim eksperiencash krejtësisht të tjera nga tregimthi i Böllit, shfaqja “Ura”, nën regjinë e Astrit Bytyqit, ka sjellë realitetet e pathëna në Kosovë të “relikizuara” në një brez njerëzish të vuajtur.

E dhënë premierë pasditen e së hënës në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, teksti dramaturgjik i autores Seadet Beqiri, ka përçuar alkiminë e vet emocionale përmes dyshes së aktorëve Avni Dalipi dhe Afrim Muçaj.

Rolet, që mishëronin dy breza me dy botëkuptime në dukje të ndryshme, shtjelloheshin përmes dialogjeve të mprehta, deluzioneve e pajtimeve.

“Është hera e parë që po flas me dikë. Është si në luftë, me vrasje, dhunime e tmerre”, dëgjohet tek thotë luftëtari në moshë (i interpretuar nga Avni Dalipi).

“Luftë ishte e pushkë kam pasur”, i thotë ai të riut që i bën pyetje (i interpretuar nga Afrim Muçaj), “kam vrarë ushtar në oborr të shpis’ tem”.

Por kur luftëtari e pyet djaloshin se ku ka qenë gjatë kohës së luftës, përgjigjja e këtij të fundit “në Bllacë” shënon, ndryshe nga pritja e publikut, një çast afrimi mes të dyve.

I riu është ai që e shfaq habinë për një luftëtar që nuk ia përbuz të “kaluarën” e tij prej refugjati.

Kishte qenë një telefonatë e dramaturges, Seadet Beqiri, shkëndija e parë për të sendëzuar këtë shfaqje. Kështu, ish-studenti i saj, regjisori Astrit Bytyqi do t’i rrekej punës, e cila për dy muaj arriti të inskenohej ashtu siç e kishte konceptuar.

“Teksti i dramës shtjellon shumëçka, por tema kryesore e tij ka qenë ajo për një luftëtar që gjendet në këtë kohë”, ka treguar Bytyqi për KOHËN.

Jo pak më i rëndësishëm për t’i pasuar dialogët me një ngjyrim subliminal ka qenë edhe “settingu” ku luftëtari dhe djaloshi dialogojnë. Me skenografi të Mentor Berishës, skelet e fuçitë sikur përforconin përfytyrimin se drama e vërtetë, njësoj sikur personazhet, zë vend edhe në një mjedis margjinal.

“Me dy personazhet sa ka teksti, jemi munduar të themi atë që e kishim në mendje”, ka treguar më tej regjisori Bytyqi, ndërsa ka thënë se ekipi i vogël e bëri më të lehtë koordinimin në kohë të pandemisë.

E megjithatë procesi i realizimit nuk kishte kaluar pa sfida: një ndërprerje e kishte diktuar edhe infektimi i aktorit, Avni Dalipi, me koronavirus.

“Pavarësisht kësaj, ne ia dolëm t’i përcillnim mesazhin e konceptin e skenaristëve dhe regjisorit”, ka thënë aktori Afrim Muçaj pas mbarimit të shfaqjes.

Ai ka thënë për KOHËN se roli i tij ishte mjaft kompleks, përgjegjësia e të cilit rëndonte mbi supet e tij.

“Vetëvrasja e gjërat që trajtohen në dramë janë komplekse, ndaj edhe kërkojnë kujdes gjatë ‘qëndisjes’”, ka vlerësuar Muçaj. Kështu gjatë interpretimit të roleve, ata ishin munduar që, duke iu shmangur rënies në patetizëm, të përçonin mesazhe sa më të pranueshme.

Për aktorin, Avni Dalipi, interpretimi i tekstit ishte gati sikur “ecje mbi fije të perit”: një gabim i vetëm do të bënte që gjithçka të dështonte.

“Arsyeja e parë pse më pëlqeu ky tekst është fakti se ai të ballafaqon me vrragët që kanë mbetur brenda për brenda nesh”, ka thënë ai ndërsa ka shtuar se shumica merren vetëm me shëndetin fizik, por jo edhe me atë shpirtëror.

“Kemi aq shumë vrragë sa po t’i prekesh kullojnë menjëherë gjak”.

Dalipi ka vlerësuar se drama është një përpjekje për të dhënë mesazhin se më mirë është ballafaqimi me realitetin e vështirë, sepse kështu ai “të jep mundësi”.

“Është një mision që njëri nga personazhet e merr për t’i ndihmuar të tjerët për të jetuar”, ka thënë Dalipi.