Kulturë

UP-ja prej revolucionit arsimor deri te kriza

“Universiteti në Prishtinë do të japë dritë, shkencë dhe kulturë”. Ky ishte titulli i theksuar i artikullit që zinte krejt ballinën e gazetës “Rilindja” në numrin e 16 shkurtit të vitit 1970, shkruan sot Koha Ditore.

Një ditë më herët në sallën e Kuvendit të asokohshëm Krahinor ishte mbajtur e para mbledhje e Kuvendit të Universitetit të Prishtinës. “Universitas Studiorum Pristinensis” ishte transparenti i vënë në ballë të sallës teksa poshtë tij folësit njëri pas tjetrit mbanin fjalime.

Pas fjalës së hapjes nga rektori Dervish Rozhaja, asokohe 36 vjeç, funksionarë të lartë të Komitetit krahinor e LKJ-së e kishin vlerësuar si të rëndësisë historike hapjen e institucionit të parë universitar në Kosovë.

“Një nga karakteristika themelore të botës së sotshme është ritmi i shpejtë i zhvillimit. Për këtë nevojiten kuadro të shkolluara dhe të afta”, kishte thënë Rozhaja në fjalimin që e lexonte në shqip. Aty u lexua edhe një fjalë përshëndetëse e kryetarit të asokohshëm të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.

Brenda pak rreshtash, ai e kishte quajtur themelimin e Universitetit të Prishtinës si hap të madh të “realizimit besnik të politikës së barazisë së kombeve dhe kombësive”. Në mbledhjen themeltare kishin ardhur edhe rektori i Universitetit të Beogradit, Dragisha Ivanoviq, ai i Zagrebit, Ivan Supek, i Lubljanës Roman Modiq, Shkupit, Kiril Penushlinski, si dhe ai i Sarajevës, Hamdia Çemerniq. Universiteti, që në përbërje të vet kishte katër fakultete, veç kishte zgjedhur instancat e veta drejtuese.

Pos Rozhajës në krye, Bozhdiar Jovanoviqi dhe Minir Dushi ishin emëruar prorektorët e parë. Me serbokroatishten dhe shqipen me status të barabartë, Universiteti i sapohapur do të pasohej katër vjet më vonë edhe me të arritura të tjera politike.

Një prej tyre edhe Kushtetuta, e cila do ta përkufizonte Kosovën si “element përbërës” të federatës me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta me ato të republikave. Aty ishte përfshirë edhe e drejta e vetos brenda presidencës jugosllave. Megjithëse e privuar nga e drejta e shkëputjes, historianë e njohës i përshkruajnë këto vite si decentralizim që mundësoi njëfarë “afirmimi kombëtar”.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën “Koha Ditore”)