Shtatë dekada jetë për kompozitorin e njohur janë gjysmëshekulli dedikim për muzikën. Në 70-vjetorin e lindjes së Aleksandër Peçit, ai nga nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” mori një përkthim muzikor të disa prej veprave që rrumbullakojnë opusin e tij të gjerë krijues. “Të thuash jam i kënaqur është pak, por jam i lumturuar nga këta nxënës, të cilëve u uroj të kenë suksese në jetën e tyre artistike dhe të kënaqin publikun dhe të kënaqen vetë nga emocionet që i përcjellin publikut”, ka thënë Peçi
Duartrokitjet më të fuqishme janë ato që rëndom mbyllin koncertin. Atëherë kur publiku pushon nga ndjesia që mbështillet në notat e kompozuara shekuj e dekada më parë.
Por, për publikun e mbledhur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, nuk u desh që të mbarojë koncerti për t’i ngjallur ato. Mjaftoi prania e kompozitorit nga Shqipëria, Aleksandër Peçi. Ngrohtësinë e publikut prishtinas e mori ende pa u ndier tingujt e notave të shtrira në partiturat para nxënësve të shkollës “Prenk Jakova”. Nga ulësja, bëri disa hapa tutje për ta parë publikun përballë dhe për t’ia kthyer me buzëqeshje duartrokitjet e mirëpritjes. Shtatë dekada jetë për kompozitorin e njohur janë gjysmëshekulli dedikim në kompozimin e veprave të njohura klasike dhe jo vetëm.
Në 70-vjetorin e lindjes, ai nga nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” mori një përkthim muzikor të disa prej veprave që rrumbullakojnë opusin e tij të gjerë krijues. Me ekzekutimin e “Valsit të dytë” të Shostakovichit nga orkestra e shkollës nisi i gjithë koncerti që nderoi krijimtarinë e Peçit.
Malda Kastrati, nxënëse e klasës së katërt në shkollën e muzikës ia behu tasteve të pianos për të përcjellë meloditë e veprës “Capricious Toccatina” të kompozitorit për të cilin është festuar.
“Jam ndier shumë mirë, pak me emocione, por kam punuar shumë për të arritur këtu”, ka thënë nxënësja Kastrati, menjëherë pas koncertit.
Pianistja Marifona Hamiti, e nisi mes duartrokitjesh pozicionimin në piano prej nga përcolli pjesë të veprës “Dancin with my barbie” të Peçit. Brohoritjet e të pranishmëve e kthyen në skenë ku iu bashkua vetë kompozitori për t’i dhënë përgëzimin me përqafim. Vepra nga opusi i tij krijues u luajtën edhe nga dhjetë instrumentistë të rinj, të cilët Peçi i vlerësoi si emra premtues për muzikën klasike në vend. Kompozitori ka treguar se veprat që janë luajtur i përkasin albumit që ai e ka realizuar në vitin 2013 dhe brenda notave fshihet një mikrokozmos i botës fëmijërore.
“Të thuash jam i kënaqur është pak, por jam i lumturuar nga këta nxënës, të cilëve u uroj të kenë suksese në jetën e tyre artistike dhe të kënaqin publikun dhe të kënaqen vetë nga emocionet që i përcjellin publikut. Aty është edhe vepra ‘The night projector’ e frymëzuar nga lodrat e fëmijëve që hedhin projektor yjesh multikolore”, ka treguar Peçi për KOHËN.
Në tribunën muzikologjike që Peçi disa orë para koncertit ka mbajtur pasditen e së premtes në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” ka thënë se jugu është vendlindja e tij muzikore. Në ligjëratën e tij ku ka prezantuar disa nga videot dhe partiturat e krijimeve të tij, Peçi ka insistuar që folku duhet të arrijë në nivelin e artit universal. Kurse muzika, sipas Peçit, ka nevojë për gravitet dhe një udhëtim në hapësirë. Kjo veçmas është hetuar te sonata “Mitosfera” që Peçi e kishte kompozuar në fillim të këtij viti. Atë e kishte kompozuar për violonçelistin Klaudio Zoto, instrumentistin 17-vjeçar të cilin Peçi e vlerëson si gjeni. Kjo e kishte nxitur të riun nga Shqipëria që të vijë mbrëmjen e së premtes në Kosovë për t’i përcjellë tingujt e veprës që erdhi si premierë në Kosovë.
“Pjesë e këtij koncerti u bëra, pasi që më ftoi kompozitori Peçi për ta luajtur veprën që ma ka dedikuar mua. Isha shumë i lumtur që arrita ta luaja edhe këtu, pasi që e kam luajtur për diplomimin tim. Është një vepër mjaft impenjative, jo vetëm sepse unë duhet të luaj në një regjistër shumë të madh për violonçelin ku ka shumë vështirësi teknike, por në disa momente edhe duhet të këndoj, por unë e shijoj pa fund dhe më pëlqen shumë”, ka thënë Zoto.
Sipas Peçit, vepra ngërthen në vete në mënyrë të sintetizuar një botë mitike sonore, që bart karakteristika pankombëtare. E se kompozimet e tij ngulin këmbë në jugun e Shqipërisë e dëshmon pikërisht kjo sonatë që Peçi e kishte kompozuar këtë vit.
“Në këtë vepër ndihen piskamat e majkrahut, dhimbja njerëzore dhe ato brohoritjet e polifonisë së Vlorës dhe rënkimet e klarinetës së jugut. Është një vepër që unë e shkrova më shumë dashuri”, ka shpjeguar Peçi për KOHËN.
Krahas veprave të kompozitorit Peçi, nxënësit e shkollës “Prenk Jakova” ekzekutuan në instrumentet e tyre edhe vepra të kompozitorëve të njohur botërorë.
Drejtoresha e shkollës, Jeta Dida, e ka vlerësuar shumë të dobishme ardhjen e Peçit për t’u parë me nxënësit, sikundër edhe çoi lart nevojën për t’i nderuar artistët që jetojnë.
“Gjithmonë koncertet për artistët e mëdhenj të përmasave të Aleksandër Peçit janë të mirëpritur dhe kjo ishte një arsye përse më shtyri ta ftojmë kompozitorin i cili ka një karrierë të bujshme pesëdhjetëvjeçare. Nxënësit tanë dhanë një mesazh për publikun, që tregon se si punohet dhe si duhet të arrihet në përsosmëri një vepër”, ka thënë Dida.
Edon Ramadani udhëhoqi orkestrën dhe korin e shkollës “Prenk Jakova” në dy vepra. Kori e orkestra u bënë tok në përmbyllje të veprës “Mal’sorja” të Lorenc Antonit. Interpretimi i një vepre të tillë, ku interpretohen vepra të artistëve vendorë dhe nderohen kompozitorë si Peçi, sipas Ramadanit, janë shumë të rëndësishme, për shkak se i afrojnë muzikantët e rinj me kompozitorët vendorë.
“Është shumë e rëndësishme që të rinjtë tanë të mësojmë për kompozitorët mbarëshqiptarë dhe t’u ofrohet sa më shumë muzika jonë. Po mundohemi që krahas muzikës evropiane dhe botërore të zhanrit artistik, paralelisht t’i njoftojmë edhe me kompozitorët tanë dhe veprat që ata kanë lenë”, ka thënë Ramadani.
Aleksandër Peçi po planifikon që për karrierën e tij gjysmëshekullore ta përmbledhë në pesëdhjetë CD.
Aleksandër Peçi, i lindur më 11 korrik 1951, që nga viti 1979 deri në vitin 1986 ka qenë drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngët dhe Valleve Popullore. Që nga viti 1992, ai ka qenë profesor në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ndërsa tani në pension akoma e vazhdon kontaktin e tij me studentët. Krijimtaria muzikore e Aleksandër Peçit shtrihet në të gjitha gjinitë e muzikës duke përfshirë këngë, muzikë dhome, simfonike, skenike (si baleti “Kecat dhe ujku”, opera “Oirat”), muzikë filmash e deri tek muzika elektroakustike. Peçi ka krijuar muzikë për filma të njohur si “Dasma e Sakos”, “Kur xhirohej një film”, “Në shtëpinë tonë”, “Monumenti”, “Gjeneral gramafoni”, “Në çdo stinë”, “Fillim i vështirë”, “Tokë e përgjakur”.
Aleksandër Peçi është nderuar me mbi 20 çmime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është shpallur Mjeshtër i Madh, Artist i Merituar, si dhe Qytetari Nderi i Përmetit. Një mirënjohje për kontributin dhënë muzikës artistike shqiptare Peçi e mori edhe nga shkolla “Prenk Jakova” në Prishtinë.Folegjenda: Mirënjohje për kontributin dhënë muzikës artistike shqiptare Aleksandër Peçi e mori edhe nga shkolla “Prenk Jakova” në Prishtinë.
Mirënjohje për kontributin dhënë muzikës artistike shqiptare Aleksandër Peçi e mori edhe nga shkolla “Prenk Jakova” në Prishtinë, të cilën ia dorëzoi drejtoresha e kësaj shkolle, Jeta Dida