Kulturë

“Ulpiana” drejt zgjerimit e hulumtimeve me një milion euro të BE-së

Shtrihet në 30 hektarë, prej të cilëve janë hulumtuar e mund të shihen nja 10 për qind. U cilësua edhe si “Pompeii i Ballkanit” dhe prejse u inaugurua si park arkeologjik më 2016, nuk është zgjeruar, e për të nuk u bënë ato që u paralajmëruan pesë vjet më parë. Por një kapitull i ri për “Ulpianën” pritet të hapet në tre vjetët e ardhshëm. Do të zgjerohet si park, do të dokumentohen gjetjet, e do të ketë edhe një qendër hulumtimi. Krejt këto dhe të tjera parashihet të mbulohen me një milion euro të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit, detaje të të cilit janë dhënë të martën

Kompletimi i incizimit gjeofizik, dokumentimi i të gjitha gjetjeve dhe strukturave, vazhdimi i gërmimeve arkeologjike, zgjerimi i Parkut Arkeologjik, themelimi i një qendre të hulumtimit, ngritja e kapaciteteve humane e pajisjet moderne për punë, do të jenë disa nga benefitet e lokalitet arkeologjik të Ulpianës në tre vjetët e ardhshëm. Krejt kjo do të bëhet në kuadër të projektit “Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Iustiniana Secunda”, financuar nga Bashkimi Evropian me një milion euro.

Instituti Arkeologjik i Kosovës së bashku me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi do të jenë implementuese të projektit. Krejt kjo është bërë e ditur të mërkurën në parkun arkeologjik “Ulpiana”. Në ngjarjen e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve – që ishte më 18 prill – nuk ka pasur njoftim për media.

Nëpërmjet një njoftimi në ueb-faqen e Zyrës së BE-së në Kosovë është bërë e ditur se shefi i kësaj zyre, Tomas Szunyog, vizitoi Parkun Arkeologjik i cili tani po përfiton nga një projekt i financuar nga BE me vlerë një milion euro.

Szunyog citohet të ketë folur për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

“Dua të theksoj se për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët, ne duhet të mbrojmë të kaluarën tonë të përbashkët dhe të fokusohemi në gjërat që kemi të përbashkëta dhe që na bashkojnë, në vend të çështjeve që na ndajnë. Ulpiana, dhe shumë lokalitete të tjera të trashëgimisë kulturore jashtëzakonisht të vlefshme në Kosovë, është nga ato gjëra dhe jam krenar që sot jemi dëshmitarë të mbështetjes konkrete të BE-së për ruajtjen e saj”, citohet të ketë thënë Szunyog.

Sipas njoftimit, projekti në tre vjetët e ardhshëm do të kontribuojë në kërkime dhe gërmime të mëtejshme arkeologjike, ruajtjen e gjetjeve dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit të Institutit Arkeologjik të Kosovës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe udhëheqësi i hulumtimeve në Ulpianë, arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Milot Berisha dhe bashkëpunëtori i tij francez, Christophe Goddard, i cili është përfaqësues i “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi dhe drejton laboratorin “Aoroc”.

IAK-ja bashkë me MKRS-në e Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina” dhe “Ecole Normale Supérieure” kanë marrëveshje bashkëpunimi për hulumtimet në Ulpianë. Sa i përket kësaj marrëveshjeje e edhe projektit të financuar nga BE-ja rol ky ka luajtur edhe arkeologu e ligjëruesi universitar i arkeologjisë, Arben Hajdari, i cili po ashtu është pjesë e grupit që udhëheqin punimet në lokalitet.

“Qyteti Antik Ulpianës përfshinte një vendbanim të fortifikuar me një sipërfaqe prej 35.5 hektarësh. Sidoqoftë, territori i saj mbulonte një sipërfaqe prej përafërsisht 100 deri në 120 hektarë, dhe tani synojmë të zbulojmë ndërtesa dhe struktura të shumta sakrale, profane dhe utilitare të ‘Ulpiana Justiniana Secunda’ të identifikuara nëpërmjet incizimeve gjeofizike. Në këtë kuptim, projekti i financuar nga BE-ja do të kontribuojë shumë në përpjekjet tona arkeologjike”, citohet të ketë thënë arkeologu dhe udhëheqësi i projektit, Milot Berisha.

Sipas njoftimit, BE-ja ka mbështetur mbrojtjen dhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë që nga viti 2000 dhe deri më tash me 14.7 milionë euro.

Në orët e mbrëmjes, edhe Ministria e Kulturës nëpërmjet një komunikate, ka njoftuar se e pranishme në këtë vizitë ishte zëvendësministrja Daulina Osmani. Në komunikatë sqarohet se projekti po ashtu bashkëfinancohet nga MKRS-ja.

“Gjatë kësaj vizite në terren u fol për rëndësinë që ka për të ardhmen angazhimi dhe puna në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, shkruhet midis të tjerash në komunikatë.

Hulumtimet e fundit në këtë lokalitet qenë bërë në gusht të vitit të kaluar.

“Ulpiana është Pompeii i Ballkanit”, kishte thënë asokohe arkeologu francez Christophe Goddard. Derisa Goddard kishte folur për shtresimet e gjetura, krejt në fillim kishte përmendur periudhën pararomake.

“Tani ne po qëndrojmë në periudhë pararomake. Qeramika që kemi nga këtu i takon periudhës dardane dhe nuk janë romake 99 për qind”, kishte thënë ai. Kishte konstatuar se romakët bënë këtë tempull nëpër shtresën që gjeten pasi kanë ardhur në shekullin e parë të erës sonë.

“Pra kjo ndërtesë i takon periudhës para se qyteti të merrte emrin Ulpiana. Sa i përket periudhës paraprake, ne nuk e dimë se si është quajtur qyteti. Ne kemi një mur të cilin nuk e dimë se kujt i takon. Ka gjasë të jetë ndërtesë publike. Disa kolegë thonë se mund të ketë qenë shtëpi. Por prapë nuk e dimë. Kjo tregon se tempulli nuk ishte ndërtimi i parë i romakëve këtu”, kishte thënë ai.

E arkeologu Milot Berisha, i cili ka udhëhequr punimet për shndërrimin e Ulpianës në park arkeologjik, kishte thënë se punimet janë zhvilluar në formën ndërdisiplinore.

“Po flasim për periudhën dardane apo të Mbretërisë Dardane. Gjetjet, fragmentet që janë tipike të periudhës së hekurit të vonë dëshmojnë se romakët këtu kanë gjetur një vendbanim”, kishte thënë ai.

Në tre hektarë vizitorët qysh nga vitit 2016 – kur një pjesë e lokalitetit u shpall park arkeologjik – mund të shohin shumë struktura e gjetje. Në sektorin e parë të Parkut gjenden banja romake, tempulli e bazilika e fortifikuar me katër kulla. Por e gatshme për t’u parë është vetëm një kullë. I dyti përbëhet nga vila suburbane apo vila periferike, përkatësisht nga rrënojat e mureve të një krahu të vilës, që pas gjysmës së shekullit I, hapësira është shndërruar në varrezë dhe tash quhet nekropoli verior. E sektori i tretë u ofron vizitorëve bazilikën episkopate, që ndryshe quhet edhe katedrale. Është kompleks i madh kishtar i periudhës së antikitetit të vonë, ndërtim paleokristian. Por lokaliteti shtrihet në mbi 30 hektarë përreth. Është parku i vetëm arkeologjik në Kosovë.