Në kuadër të projektit “Transformimi shoqëror inovativ në Kosovë”, “Doku Fest” ka organizuar shkollën dimërore “Tregimet e interesit njerëzor”, në bashkëpunim me Qendrën e Arsimit të Kosovës dhe Ambasadën e Mbretërisë së Holandës. Nxënësit kanë marrë informata bazike sa i përket këtij procesi, është paraprirë nga ligjëratat njëditore si pjesë e projektit mbi bazat e prodhimit të filmit nga ndërmjetësuesi dhe filmbërësi Zgjim Terziqi
Janë nxënës të klasave të shtata, të teta dhe të nënta, të cilët për tash e 10 muaj kanë kaluar nëpër faza të ndryshme të trajnimeve për të bërë film. Shkolla dimërore “Tregimet e interesit njerëzor”, ku nxënësit kanë marrë informata bazike sa i përket këtij procesi, është paraprirë nga ligjëratat njëditore si pjesë e projektit mbi bazat e prodhimit të filmit nga ndërmjetësuesi dhe filmbërësi, Zgjim Terziqi. Ai ka thënë se janë në fazën e dytë të vizitave nëpër shkolla.
“Ky program është i financuar nga Ambasada e Holandës në bashkëpunim me ‘Doku Fest’ dhe “KEC”. Mua më kanë ftuar si ligjërues, ku verën e kaluar kam marrë pjesë në shkollën verore me shkollat e njëjta. Tash i kemi vizituar edhe nga një herë, e kemi diskutuar procesin e filmbërjes me anë të një ligjërate të shkurtër. Tash jemi në fazën e dytë të vizitave. Nxënësit në bashkëpunim me arsimtarin e tyre, mentorin e klubit medial të shkollës, e kanë punuar skenarin e fillimit. Temën e filmit e kanë vendosur vetë nxënësit. Tash jemi në ripërpunim të skenarit, të drafteve të para”, ka thënë Terziqi.
Secila nga shkollat pjesëmarrëse ka zgjedhur një temë për film të shkurtër, të cilin pjesëmarrësit do të kenë shansin ta realizojnë gjatë fazave të ardhshme të projektit. Temat që studentët kanë zgjedhur t’i trajtojnë janë kryesisht çështje kritike të kohës së tyre.
“Kryesisht temat që ata kanë vendosur t’i shtjellojnë në filmat e tyre kanë të bëjnë me brengat që ata si nxënës i kanë. Disa nga idetë janë të ngjashme, disa nga to janë specifike prej lokacionit, varësisht prej shkollës dhe rrethanave të tjera”, ka bërë të ditur ai.
Regjisorit dhe skenaristit ky proces i ka ndikuar edhe në jetën e tij personale. Në bisedat me të tjerët ka thënë se i ndan përvojat me nxënësit të cilët ka thënë se e befasojnë çdo ditë e më tepër.
“Dhjetë shkolla janë pjesëmarrëse në këtë program. Nxënësit janë nga klasat e shtata, teta dhe nënta. Unë e përmend kudo me këdo që takohem jashtë projektit, se më bën të ndihem shumë mirë se këta fëmijë kanë ide shumë të mira, janë shumë të interesuar. E kanë njëfarë entuziazmi jo vetëm me marrë informata, por edhe që të japin informata. Nga këto dhjetë shkolla secila e ka një rrëfim të veçantë, edhe diçka që më shtyn të besoj shumë se me këto kualitete mund të bëjnë filma shumë të lezetshëm”, ka thënë Terziqi.
Aktualisht nxënësit janë në fazën e shkrimit të skenarit. Ata nga shkolla “Abaz Ajeti” në Gjilan kanë zgjedhur që në filmin e tyre dokumentar ta trajtojnë temën e migrimit. Mirjon Daku, nxënës i klasës së tetë, ka thënë se tash kur sheh ndonjë film i vëren detajet edhe më shumë dhe kjo ka thënë se po i pëlqen.
“Tash, kur shoh filma vërej më shumë detaje. Ndoshta kjo vjen si rezultat i asaj që e kemi mësuar me anë të këtij programi. Më bëjnë përshtypje më shumë skenat dhe mënyrat se si një film i caktuar është realizuar” ka thënë Daku.
Për Hena Hasanin kjo shkollë ka bërë që ta konsiderojë fushën e kinematografisë si një profesion që do ta ndjekë në të ardhmen.
“Gjatë kësaj kohe, duke qenë pjesë e trajnimeve, shkollave verore e dimërore, kam filluar të mendoj se kinematografia do të ishte një fushë në të cilën do të doja të avancohesha edhe në mënyrë profesionale”, ka thënë Hasani.
Potenciali i këtyre të rinjve në filmbërje i ka befasuar edhe vetë arsimtarët e tyre. Bregan Isufi, arsimtar i matematikës, njëherësh mentor i klubit medial në shkollë, ka treguar se me sa shumë përkushtim ata po i ndjekin këto trajnime.
“Nxënësit tonë kanë shfaqur talente të shumëfisha, imagjinatë të pasur, qasje ndryshe ndaj problematikave. Shkolla jonë ka zgjedhur ta trajtojë fenomenin e migrimit”, ka thënë Isufi.
Është më pak e zakonshme që nxënësve të ciklit të ulët t’u jepet mundësia për projekte të tilla. Menaxheri i projektit, Idriz Morina, ka thënë se kjo ka ndryshuar me kohën.
“Mendoj se ka qenë një mangësi te ne që nuk janë provuar në këtë moshë me programe të tilla. Kam pasur rastin të punoja me shkollat e mesme e kemi dashur që të njëjtën ta përcjellim te shkollat e mesme të ulëta”, ka thënë Morina.
Projekti “Transformimi shoqëror inovativ në Kosovë” pritet të përmbyllet nga fundi i muajit maj, me premierën e filmave të të gjitha shkollave në kinemanë “Armata” në Prishtinë.